Anëtari i ri i KKRT-së, opozita kundër PD-së
Tiranë- Opozita ka kundërshtuar sot kandidaturat për emrin e ri të anëtarit të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, të propozuara nga PD-ja. Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Medias ka pasur debate të forta për emrin e ri të KKRT-së, vend i mbetur vakant që pas shkarkimit të Frano Kullit.
Në komision ishin paraqitur dy kandidatura të propozuara nga PD-ja, ajo e Altin Ndroqit dhe Ermal Gjinajt, për të cilat opozita shprehu kundërshtime të prera. “Maxhoranca po shkel procedurat dhe standardet në emërimin e anëtarit të KKRT-së. Kandidaturat në komision duhet të ishin nga shoqëria civile, sikurse e parashikon ligji",-u shpreh Kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj, përfaqësuese e opozitës.
Sipas saj, kandidaturat kanë ardhur për miratim në kundërshtim me ligjin për KKRT-në, pasi janë propozime politike. Ndërkohë që diskutimi dhe votimi i tyre nuk ka qenë i përfshirë në kalendarin e punimeve të komisionit.
Kurse deputeti i maxhorancës, Astrit Patozi, tha se paraqitja e dy kandidaturave është një proces transparent dhe opozita është e lirë që të sjellë kandidaturat e saj.
Vendi në KKRT, mbeti vakant pasi më 15 shtator, Kuvendi me shumicë votash shkarkoi Frano Kullin nga pozicioni i nënkryetarit të këtij institucioni, si njeri politik, pasi ai ishte anëtar i Partisë Demokristiane.