Plani rregullues, Rama: Ja si do jetë Tirana
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka prezantuar para qytetarëve planin e ri rregullues për katër njësi bashkiake përkatësisht 4, 8, 9 dhe 11. Ai foli para qytetarëve të këtyre zonave duke sqaruar se do të ndryshojnë disa nga destinacionet e objekteve të njohura tashmë.
Sipas planit të ri Kodër Kamza do të kthehet në një kampus dhe zonë mikse. Ndësa rruga Josif Pashko dhe Pularia do te kthehen në stacion treni dhe zonë mikse. Aty ku është tani Stacioni i Trenit do të vazhdojë zgjatimi i Bulevardit Zogu i Parë. Aty ku tani është Reparti Ushtarak dhe zona te Antibiotiku do të bëhet kampus universitar, zonë kërkimesh shkencore dhe zone mikse.
Një projekt tjetër Rama ka për parkun përgjatë lumit të Lanës. Sipas tij parku do të shtrihet aty ku tani janë shinat e trenit dhe hekurudha do të kalojë nëntokë.
Gjithashtu projekti parashikon krijimin e brezave mbrojtës të zonave ekologjikisht të ndjeshme si Mali i Dajtit dhe Lumi i Tiranës, etj. Do të bëhet një lidhje e parqeve periferike (Paskuqani, Dajti), me anë të transportit publik. “Një plan rregullues sipas koncepteve bashkëkohore dhe sipas konceptit të planit që ne po paraqesim sot është një plan zhvillimi ekonomik dhe shoqëror, është një projekt bashkëjetese si një territor në ndryshim të vazhdueshëm demografik, por sigurisht ekonomik dhe social”- tha Rama, gjate prezantimit te planit te ri.
Sipas tij, ky plan jep mundësi për të sistemuar hapësirat publike në zonat e formuara si dhe për të vlerësuar objektet me vlera historike dhe arkitektonike në pjesën e vjetër të kësaj zone të Tiranës, duke përcaktuar si mekanizëm edhe një vend për këto objekte dhe zotëruesit e tyre që duhet të mbështeten nga shteti në konservimin e trashëgimisë kulturore.
Në përgjigje të atyre që e konsiderojnë planin të vonuar, Rama ka dhënë shembullin e shumë qyteteve të tjera, shumë të zhvilluara që u është dashur një kohë shumë më e gjatë për një gjë të tillë. Ky është një plan i cili sot është një instrument i vetëm në një territor të kufizuar siç është Tirana sëbashku me një sërë komunash kufitare.
Ai ka theksuar se sot kemi një tendencë të qartë zhvillimi, të diktuar jo aq nga largpamësia e institucioneve, sesa nga nxitja e brendshme e tregut që po e çon korridorin Tiranë-Durrës në një pol shumë të fuqishëm të ekonomisë së sotme dhe të nesërme.
Nga ana tjetër, zhvillimet e ndodhura rreth Tiranës, kanë bërë që kryeqyteti të rritet jashtë harkut të vendimarrjes institucionale.
Brenda tij, sipas Ramës, për shkak të vendimarrjes institucionale në komunat kufitare, të cilat në mungesë të një legjislacioni bashkëkohor dhe koherent që do të mundësonte një zhvillim të qëndrueshëm koherent, kanë hapur rrugë për zhvillime të cilat nga njëra anë e kanë dëmtuar rëndë përspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm të kryeqytetit, duke sjellë mu në kufijtë administrativë të tij ndërtime kryekëput jashtë standarteve që do të donim për kryeqytetin e së nesërmes, por nga ana tjetër, kanë vënë para një fakti të kryer, vështrimin tonë nga e ardhmja, gjë që na bën që tanimë këto realitete ti konsiderojmë si realitete të mirë - integruar dhe të shohim përtej tyre, duke propozuar një kufi të ri për zhvillimin e gjithë kësaj zone, që pavarësisht nëse do të ketë apo jo një ndryshim të organizimit territorial, duhet të konsiderohet nga të gjitha njësitë vendore.