Angazhimi i kryeministrit/Mandatin e ardhshëm, paga e arsimtarëve mbi 700 dollarë
Kryeministri Sali Berisha inauguron shkollën kombëtare profesionale në Kamëz
“Rroga e arsimtarëve gjatë katër viteve të ardhshme do arrijë në mbi 700 dollarë, më e lartë se disa vende anëtare të BE”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të shkollës profesionale në Kamëz.
Kreu i qeverisë theksoi se arsimi profesionale dhe formimi profesional i të rinjve dhe i forcave punëtore kudo që janë, përbën një nga objektivat më madhor të zhvillimit të arsimit në Shqipëri dhe se koha ka faktuar se janë zhvilluar në mënyrë më të qëndrueshme ato ekonomi dhe ato vende, që kanë ditur dhe kanë arritur të përshtaten në mënyre të pandërprerë me kërkesat dhe kushtet e tregut, nëpërmjet arsimit profesional. Në këtë kontekst kryeministri Berisha u shpreh se në katër vitet që vijnë, arsimi profesional dhe konsolidimi i tij, rritja progresive deri në dyfishimin e numrit të nxënësve në shkollat profesionale në vend, rritja progresive e programeve, projekteve, degëve dhe nëndegëve në këto shkolla do të jenë një nga objektivat më madhor të zhvillimit të sistemit arsimor të vendit. “Arsimi profesional dhe formimi profesional i të rinjve dhe i forcave punëtore kudo që janë, përben një nga objektivat më madhor të zhvillimit të arsimit në Shqipëri. Koha ka faktuar se janë zhvilluar në mënyrë më të qëndrueshme ato ekonomi dhe ato vende, që kanë ditur dhe kanë arritur të përshtaten në mënyre të pandërprerë me kërkesat dhe kushtet e tregut, nëpërmjet arsimit profesional. Ndaj dhe për ne, katër vitet që vijnë, arsimi profesional dhe konsolidimi i tij, rritja progresive deri në dyfishimin e numrit të nxënësve në shkollat profesionale në vend, rritja progresive e programeve, projekteve, degëve dhe nëndegëve në këto shkolla do të jenë një nga objektivat më madhor të zhvillimit të sistemit arsimor të vendit. Shkolla juaj i përgjigjet kërkesave të tregut me 15 fusha dhe degë të tij. Drejtori i shkollës dhe ministri i Arsimit më informuan mua, se po punojnë ngushtë me shkollat profesionale gjermanë dhe se gradualisht këtu do të ketë rreth 25 degë të saj, në 25 fusha të tregut”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se, për qeverinë shqiptare arsimi është përparësia e të gjitha përparësive dhe se këto vite qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në mënyrë që të vendosë arsimin si përparësinë më kryesore të bindur se ky është kushti i të gjitha kushteve, që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë.
Pas rritjes së pagave për arsimtarët në gati 140 për qind, kryeministri Berisha premtoi se, në katër vitet që vijnë rroga e mësuesit do të jetë mbi 700 dollarë.
“Për qeverinë shqiptare arsimi është përparësia e të gjitha përparësive. Këto vite ne kemi bërë përpjekje të mëdha në mënyrë që të vendosim arsimin si përparësinë tonë më kryesore të bindur se ky është kushti i të gjitha kushteve, që Shqipëria të ketë të ardhmen, që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë. Ndaj dhe në një hark kohor të shkurtër ne kemi rritur rrogat e arsimtarëve me 120 deri në 140 për qind sipas kategorive. Jam këtu për të garantuar mësuesit se gjatë katër viteve që vijnë rrogat e tyre do të njohin rritje dy deri në tre herë më të madhe, sesa indeksi i çmimeve dhe se në krye të katër viteve rroga e mësuesit do të jetë mbi 700 dollarë dhe mësuesit në Shqipëri do të paguhen më mirë jo në dy apo tre, por sesa në disa vende të Bashkimit Europian”, garantoi kryeministri.
Godina e re e shkollës profesionale në Kamëz, është financim në kuadër të projektit IPA, të Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare me vlerë rreth 1 milion e 100 mijë euro, është ndërtuar në një sipërfaqe rreth 3400 m2, e standardeve Europiane me rreth 24 klasa, laboratorë të kimisë, fizikës, biologjisë, IT-së, laboratorëve të specialitetit dhe palestër. Shkolla, për 1200 nxënësit, ofron 9 drejtime kryesore të cilat specializohen në 15 profile të reja si Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Hoteleri - Turizëm; Shërbime Mjete Transporti; Bujqësi; Shërbime Sociale dhe Shëndetësore; Teknologji ushqimore; Ekonomi biznes; Administrim zyre; Ekonomi bujqësore. Pasi ka falënderuar Bashkimin Europian për financimin bujar të kësaj shkolle, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo është shkollë lider e arsimit profesional në Shqipëri, e cila operon me rreth 15 degë, me laboratorë ndër më modernët, me një kurikul të shkëlqyer dhe ju përgjigjet nevojave të tregut, të një zone prej 280 mijë banorë.
Shkolla të reja dhe infrastrukturë moderne në të gjithë vendin
Kryeministri Berisha u zotua se në katër vitet që vijnë, në të katër anët e vendit, çdo shkollë do të jetë e re e ndërtuar ose e rindërtuar, duke krijuar mundësinë e infrastrukturës moderne arsimore në mbarë vendin. “Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e cilësisë, të sistemit tonë arsimor, shkollimit të nxënësve tanë në arsimin para universitar të studentëve tanë, në arsimin universitar. Kemi arritur gjatë këtyre 7 viteve të fundit të kapim nivelet më të lartë të vendeve të zhvilluara në ndjekjen e shkollave të mesme dhe në ndjekjen e universiteteve. Detyra jonë më parësore është të kapim vendet e zhvilluara, në cilësinë e arsimit para universitar, të kapim vendet e zhvilluara, në cilësinë e arsimit universitar. Ndaj dhe një transformim tërësor i kurikulave do të ndodhë gjatë këtyre viteve dhe do të bëjmë gjithçka, që arsimi shqiptarë të kapë nivelet më të larta të cilësisë”, tha kryeministri.
Ai solli në vëmendje se në këto vite janë ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla në mbarë vendin. Vetëm në Kamzë, tha Berisha, kemi ndërtuar 10 shkolla nëntëvjeçare, 5 shkolla të mesme të përgjithshëm, 2 shkolla të mëdha profesionale dhe 8 kopshte. “Jam sot këtu për tu zotuar para jush, se në katër vitet që vijnë, në të katër anët e vendit, çdo shkollë do të jetë e re e ndërtuar ose e rindërtuar. Infrastrukturë moderne arsimore në mbarë vendin. Ne në një hark kohor të shkurtër ia dolëm të shtrinim internetin në të gjitha shkollat e vendit. Mos harroni se në fillim të vitit 2006 kishte internet vetëm në 40 shkolla, sot ka internet në 2 mijë shkolla. Një fillim për vitin 2006 në të gjitha shkollat e Shqipërisë gjendeshin gjithsej 900 kompjuterë, sot janë mbi 24 500 kompjuterë. Cili është zotimi ynë për katër vitet që vijnë? Zotimi ynë për katër vitet që vijnë është mësim dixhitale për çdo klasë. Kompjuter në çdo klase, standardet më të larta në përdorimin e teknologjisë dixhitale në shkollat tona. Në katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka, që shkollat tona të kenë bibliotekat më të mira virtuale dhe reale. Në katër vitet që vijnë shkalla e teknologjisë dhe informacionit në sistemin shkollor shqiptarë, në sistemin arsimor shqiptarë do të jetë njëri ndër më të lartët në Europë”, deklaroi ai.
Gjithashtu kreu i qeverisë premtoi se, përmirësimi i infrastrukturës në arsim do të bëjë që nga 17 për qind e nxënësve që ndjekin aktualisht shkollat private, numri i tyre do të jetë në 36 për qind. “Në vitin 2006 vetëm 17 për qind e nxënësve ndiqnin shkollat profesionale, por në vitet që vijnë, numri i nxënësve në shkollat profesionale do të jetë mbi 36 për qind dhe se fondet për këto shkolla do të trefishohen krahasuar me vitin 2013. Shkollat profesionale do të funksionojnë gjatë gjithë ditës për nxënësit e tyre, por edhe punëtorët e sipërmarrjeve private, të cilët duan të kualifikohen sipas dëshirës së tyre në profesione të ndryshme. Ne do të bëjmë gjithçka, që arsimin profesional t’ia ofrojmë falas çdo qytetari që dëshiron të kualifikohet, të mësojë profesione, të ndërrojë profesione dhe të përshtatet me kushtet e reja të tregut”, vijoi më tej Kryeministri Sali Berisha.
Qeveria do të financojë çdo projekt të bashkisë Kamëz
“Falënderoj kryetarin e Bashkisë, Xhelal Mziu të cilit nuk i mbarojnë kurrë projektet për Bashkinë e Kamzës. Ne do të mbështesim çdo projekt siç e kemi mbështetur deri më sot. Këto vite në Kamzë kemi investuar 46 milion euro, këto vite përveç 23 shkollave dhe kopshteve, kemi ndërtuar dhe rindërtuar me fonde të qeverisë dhe bashkisë, 80 kilometra rrugë. Rrugë të reja do të nisim së shpejti ndërtimin e tyre. Falë kushteve dhe përpjekjeve të mëdha, të bashkisë dhe punonjësve të saj, në Kamzë, më shumë se kudo tjetër janë zhvilluar biznese të shumëllojta. Kamza sot numëron 1800 biznese nga vetëm 600 që kishte 7 vite më parë. Janë modernizuar të gjitha shërbimet e bashkisë ndaj bizneseve dhe qytetarëve. Është ndërtuar pallati model i Kulturës. Bashkia ka përgatitur një projekt, të cilin unë e mbështes plotësisht, ndërtimin e një Pallati Sporti më moderni në Shqipëri. Shqipëria çdo ditë ndryshon. Shqipëria çdo ditë ndryshon me shkolla të reja, me rrugë të reja, me hidrocentrale të reja, me sipërmarrje të reja, me fabrika të reja, me ferma të reja. Shqipëria e katër viteve që vijnë do të jetë Shqipëria vend i zhvilluar, do të jetë Shqipëria Europiane”.
Kryeministri Berisha pret përfaqësuesin e Qendrës Rinore për Talentet të Universitetit “John Hopkins” të SHBA, Galen White
Nismë për zbulimin e talenteve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe matematikës
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Galen White, përfaqësues i Qendrës Rinore për Talentet të Universitetit të John Hopkins në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
Galen White i bëri Kryeministrit një përshkrim të shkurtër të veprimtarive kryesore të Qendrës, e cila ka të bëjë me kërkim talentesh përmes testeve, programeve veriore, mësimit në distancë on-line dhe programe akademike familjare. Një qendër e tillë propozohet të ngrihet edhe në Shqipërisë, e cila do t’i japë një shtysë identifikimit dhe zhvillimit të talenteve, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit, të matematikës dhe shkencave. Kryeministri Berisha falënderoi White për këtë propozim dhe mirëpriti ngritjen një qendre rinore për talentet në Shqipëri. Kryeministri shprehu gatishmërinë e qeverisë për ta mbështetur plotësisht ngritjen sa më parë të qendrës dhe aktivitetin e saj në Shqipëri. Fondi Shqiptari-Amerikan i Zhvillimit ka ofruar fillimisht pesë bursa për shkollën e verës, pranë Qendrës për Talentet në Amerikë.