E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angjeli: Në thelb të programit të qeverisë, ndryshimi i modelit ekonomik

TIRANE –Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli argumentoi në “News24” shtyllat kryesore të programit qeverisës, që pritet të diskutohet të shtunën në seancën e kuvendit. I ftuar në rubrikën “Opinion” të gazetares Nisida Tufa, Angjeli theksoi se në thelb të programit qeverisës qëndron filozofia që bazohet në ndryshimin e modelit ekonomik të vendit.

I pyetur në lidhje me premtimet e PS-së për krijimin e vendeve të reja të punës, Angjeli tha se 300 mijë vende pune janë planifikuar të hapen gjatë katër viteve të mandatit të qeverisë.

“300 mijë vende pune janë shumë, sepse e shumtë është dhe papunësia në vendin tonë. Ato janë programuar të hapen gjatë katër viteve të mandatit dhe jo të nesërmen e mandatit. Hapja e vendeve të reja të punës është e lidhur me modelin e ekonomisë.”- u shpreh Angjeli.

Deputeti socialist theksoi se PS synon të aplikojë një sistem taksash të ndershëm, në mënyrë që ata që marrin më shumë të paguajnë më shumë dhe ata që sigurojnë më pak të ardhura të paguajnë më pak.

“Unë besoj se ajo që thuhet se 95% e shqiptarëve nuk do të paguajnë taksa është sa dashakeqe aq dhe e gabuar. 95% e popullsisë do të lehtësohen nga taksat, sipas parimit që ai që merr më shumë paguan më shumë dhe ai që merr më pak paguan më pak. Fjala është gjithnjë për të ardhurat personale nga paga. Heqje taksash është premtuar vetëm një taksë që ka të bëjë me biznesin e vogël.”- deklaroi Angjeli.

Ndër të tjera Angjeli foli edhe për situatën aktuale të ekonomisë në vend, duke e cilësuar si tejet të vështirë.
“Gjendja ekonomike e Shqipërisë sot është tejet e vështirë, e cila ka shënuar një rënie në rritjen e saj. Një ekonomi e cila rritet me 0% apo me 1% do të reflektojë të ardhura në këtë nivel. Kjo gjendje ekonomike bëri që ekonomia të vazhdonte të binte ndërkohë që përkeqësohej dhe gjendja e financave publike”- u shpreh ai.

Në lidhje me kabinetin e ri qeveritar, Angjeli tha: “E drejta e zgjedhjes së kabinetit është një e drejtë ekskluzive kushtetuese e kryeministrit. Jam i sigurt se të gjithë qytetarët e Shqipërisë janë njohur me CV e tyre, të cilat shoqërojnë këtë program dhe janë bërë publik në media dhe besoj e kanë shumë të qartë.”

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›