Angjelina Xhara, Spikerja e lajmeve që u bë skenariste dhe shkrimtare
Është spikerja që bëri të flitet shqip në radion greke të Bashkisë së Athinës “9.84”, duke transmetuar lajmet në gjuhën shqipe për tetë vjet radhazi
Ajo ka qenë një nga spikeret e para të lajmeve në Televizionin Shqiptar përkrah Kiço Fotiadhit. E nisi karrierën si spikere që kur ishte 12 vjeç, fillimisht në emisionet për fëmijë, për t’u rritur e për të qenë një ndër imazhet e para të ekranit të lajmeve në të vetmin televizion që mbërthente shqiptarët çdo mbrëmje në orën 18:00. Por, Angjelina Xhara u bë më vonë shumë më shumë se veçse një imazh i bukur që artikulon bukur fjalën. Ajo u bë një ndër skenaristet e para femra në Kinostudio. Të shkruarit u kthye dhe në profesionin e saj. Për ta sjellë në të tashmen atë që Angjelina Xhara ka krijuar dhe ka arkivuar nga e shkuara, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i kushtoi dje disa orë krijimtarisë së spikeres së lajmeve që u bë skenariste e më pas edhe shkrimtare. Gjatë karrierës së saj, ajo ka shkruar skenarët e filmave “Piktura mesjetare shqiptare” dhe “Profesor doktor, Aleksandër Xhuvani”, që kanë marrë çmime në festivale të filmit. Filma të tjerë si “Onufri”, “Piktori Buza”, “Veshjet popullore”, “Fëmijët tanë, një këngë e bukur”, janë shfaqur me shumë sukses në aktivitete filmike jashtë atdheut. Në vitet e demokracisë emigroi në Greqi, ku u aktivizua në faqet e shtypit shqiptar atje, por edhe si spikere në edicionet e lajmeve në gjuhën shqipe në radion greke të Bashkisë së Athinës “9.84”, duke punuar për tetë vjet radhazi.
Vitet e fundit, Angjelina Xhara është marrë me letërsi, duke botuar romanin e saj të parë “Enigma” me temë nga emigracioni. Romani ka marrë çmim në konkursin kombëtar të shpallur nga shtëpitë botuese “Toena” dhe “Onufri”. Sapo ka dalë nga botimi libri “Margarita e artë”, kushtuar Artistes së Popullit, Margarita Xhepa, dhe ka gati për botim librin “Personalitete femërore shqiptare në kinematografi”. Gjithashtu, Angjelina ka përkthyer librin e Alberto Moravias, “Gruaja leopard”. Ajo është vlerësuar me medaljen “Naim Frashri” dhe është Ambasadore e Paqes e Organizatës Ndërkombëtare të Paqes. Në një intervistë për MAPO-n Angjelina rrëfen vështirësitë e të shkruarit të skenarëve të filmave dokumentarë para viteve ’90. Si i shpëtuan filmat e saj censurës, jeta në emigracion etj.
Keni qenë ndër spikeret e para në Radio-Televizionin Shqiptar. Pse zgjodhët më pas të bëheshit skenariste?
Unë e kam filluar jetën artistike shumë e vogël. Kam qenë 12 vjeç kur kam filluar spikere në radio fillimisht në emisionin e fëmijëve, pastaj në vitin e dytë gjimnaz jepja emisionet e lajmeve në radio. Në vitin e dytë në universitet u zgjodha si spikere e lajmeve në Televizionin Shqiptar. Por jeta ime artistike në fakt iu kushtua realizimit të filmave dokumentarë. Unë i jam përkushtuar gjithmonë filmit dhe librit. Si skenariste kam bashkëpunuar me dokumentaristët më të vjetër dhe me përvojë, si Endri Keko, Vitori Çeli, Marianthi Xhako, Donika Muçi etj. Filmi është vepër kolektive dhe nuk bëhet asnjëherë vetëm me një njëri.
Sa e vështirë ka qenë të ishe skenariste para viteve ’90, duke pasur parasysh që propaganda sidomos në skenar zinte vend parësor?
Faktikisht ne artistët në atë kohë ishim të kushtëzuar në tematikë. Por unë zgjodha tematikën kulturore, historike dhe shkencore. E kam filluar me filmin “Dy endje”, një film që i kushtohej krimbit të mëndafshit dhe kam punuar me Adriana Elinin. Kalonim nga endja e krimbit të mëndafshit tek endja e pëlhurave të mëndafshta. Filmin e kam trajtuar me shumë dashuri, duke qenë e kufizuar, madje edhe këtu. Por mund të them se tek tematika që unë zgjodha, siç ishte kultura, historia apo shkenca, kishte liri më të madhe dhe ndikimet nga jashtë ishin të pandjeshme. Tek filmat me subjekt kulturor, historik etj., kishe pak më shumë liri.
Pra, ju jeni ndjerë e lirë në krijimtarinë tuaj në atë periudhë?
Jo, s’e kam ndjerë vetën të lirë. Unë as tani nuk është se e ndjej veten të lirë. Por ne kemi pasur një lloj demokracie në Kinostudio në atë kohë, në kuptimin që i zgjidhnim vetë temat që do të trajtonim pavarësisht se ishim të kontraktuar. P.sh., në filmin dokumentar për qilimat, kur e pa një i afërmi im më thotë: “Po partia, ç’hyn në thurjen e qilimave?” - Po kjo është pasaporta për të kaluar filmin, - i thashë. Sepse aty kishte një pjesë të skenarit ku etiketohej edhe kjo si vepër e partisë.
Ju jeni një ndër ato shqiptaret që keni pasur sukses edhe në Greqi ose më thjesht, keni punuar në profesionin tuaj kur keni jetuar në Greqi, në emigracion. Si arritët të depërtonit aq më shumë në Greqi, ku keni dhënë lajme në gjuhën shqipe?
Po prefrazoj të madhen Margarita Xhepa, kur thotë se në jetë ka punë, talent por edhe fat. Kur unë vajta në Greqi isha një emigrante e thjeshtë dhe papritur e pakujtuar u ndodha në një situatë të tillë, që do hapej për herë të parë një emision ku flitej shqip. Dhe meqë unë kisha qenë ndër spikeret e para në televizionin shqiptar, e panë të arsyeshme që unë bashkë me Violeta Vilën të bënin edicionin e parë të lajmeve shqip te Radio Athina. Ishte një fat i madh për mua që bëra këtë emision për 8 vjet me radhë. Këtu fillova dhe të shkruaja romane. Atje kam shkruar edhe romanin e parë, titulluar “Enigma”.
Nëse do të kishit mundësi, për cilën temë do bënit dokumentar sot?
Sapo kam mbaruar dhe së shpejti del në treg libri për Margarita Xhepën. Në atë libër është shpirti i kësaj aktoreje. Ndërkohë, krahas librit po përgatisim dhe dokumentarin për këtë aktore të madhe. Dokumentari do të realizohet në bashkëpunim me regjisorin Kujtim Gjonaj.