“Koleksioni i qelqtë” ngjit në skenë Niko Kanxherin
Shfaqja e parë konkurruese që hap edicionin e 7-të të Festivalit Teatror të të Rinjve është cilësuar një dramë-kujtesë dhe ngjarjet zhvillohen në Amerikë në vitin 1937. Shfaqja "Koleksioni i qelqtë" me autor Tennesse Williams, vjen në regjinë e Lorin Terezit. Periudha në të cilën janë zhvendosur ngjarjet flet për vitet më të vështira të Amerikës, të quajtura “Depresioni i Madh”. “Koleksioni i qelqtë” nga kritika është cilësuar si drama ku zbërthehen emocionet njerëzore, dëshira dhe përpjekjet për të jetuar. Vepra vjen me interpretimin e aktorëve Niko Kanxheri (në rolin e Tomit të vjetër që tregon ngjarjet), Ervin Bejleri (në rolin e Tomit të ri), Sonila Kapidani, Erjeta Cufaj dhe Florian Agalliu. Shfaqja do të ngjitet në skenën e vogël të TK-së në datat 3 dhe 4 nëntor, ndërsa kostumet dhe skenografia e shfaqjes janë realizuar nga Olta Bello. Për publikun në këtë vepër janë emra të talentuar të skenës teatrore, ndërsa mes tyre spikat Niko Kanxheri, një nga emrat e vlerësuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare.. “Koleksioni i qelqtë” rrëfehet nga Tom Wingfilld, i cili është njëkohësisht edhe personazh i pjesës. Për herë të parë “Koleksioni i qelqtë” i Williams është shfaqur në vitin 1944 në Çikago. Lanier Thomas Williams III, i njohur më mirë me pseudonimin Tennessee Williams lindi në Columbus, më 26 mars 1911 dhe vdiq në New York më 25 shkurt 1983. Ai është cilësuar si një nga dramaturgët më të njohur amerikanë, që gjatë jetës së tij u nderua dy herë me çmimin “Pulitzer” në vitin 1948 dhe 1955. Në krijimtarinë e tij veç “Koleksionit të Qelqtë”, dramat më të njohura janë edhe “Battle of Angels”, “The glass menagerie”, “A streetcar named desire”, “ Summer and smoke”, “The rose Tattoo”, “ The night of the Iguana” etj.