E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare: Një natë në Romë me Dritëro Agollin

Takimi i pazakontë i Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit në Romë, pas një vizite në Kinë dhe Vietnam. “Dreq o punë, thotë Dritëroi. Në vend që t’i them se po vijmë nga Kina, më duket se i thashë që jemi kinezë. S’ka kohë t’i them se me ata sy gjysmë të mbyllur ngjajmë me siguri ashtu, sepse italianët aty për aty ia plasin të qeshurës”

Ishte viti i zymtë 1967. I kthyer nga një udhëtim i gjatë në Kinën e përpirë prej etheve të revolucionit kulturor e më pas në Vietnam, Ismail Kadare takon Dritëro Agollin në aeroportin e Romës. Nata e dy shkrimtarëve të njohur në Romë përshkruhet mes episodeve groteske dhe tragjike nga Ismail Kadare, e pashlyeshme në kujtesën e tij sa vite më vonë, do t’ia rrëfente baronit Pierre-Bordeaux Groult, 84-vjeçarit të pasionuar pas Ballkanit dhe Shqiërisë. “Pas një muaji shkretëtirë prej revolucionit kulturor, një kafe e vërtetë, në një bar të vogël të Romës ndaj të gdhirë, pranë dy klientëve të panjohur dhe një karabinieri që mban zinxhirin e një qeni, na duket si kulmi i njerzillëkut të jetës”,-rrëfen Ismail Kadare në këto shënime udhëtimi, që ia ia ka dhuruar të shoqes, Helenës për librin “Kohë e pamjaftueshme”.

Pasioni për Shqipërinë dhe shqiptarët i është zgjuar Groult-it vonë, në moshën tetëdhjetedyvjeçare.Thotë se, duke vrarë mendjen për spikamën e Europës së ardhme, ndërsa ndiqte konfliktin në Ballkan, nën ndriçimet e shkurtra të lajmeve, të ngjashme me ato të vetëtimave në stuhi, ka vënë re, më saktë ka zbuluar se diçka nuk shkon në raportet e Europës me Ballkanin, se diçka ka qenë e gabuar në themel, shkurt, se diçka duhet ndrequr… Në të vërtetë, Groult është ndoshta njeriu më këmbëngulës që kam njohur. Një herë më merr në telefon, për të më thënë se ka ndodhur diçka e keqe: ministri Edmond, me origjinë armene, i acaruar, mesa duket, me zjarrminë proshqiptare të Groult-it, i ka thënë se ka pasur edhe gjeneralë shqiptarë, që kanë komanduar trupat turke, që masakruan armenët.

Ah, pa shiko! i them. Një shpifje më shumë. S’u bë hataja. Ai më bind se s’është ashtu. Ministri Davedjan është një nga më të zgjuarit dhe më ndikuesit në qeverinë franceze. Groult-i mendon se duhet t’i shkulet sa më shpejt nga koka kjo ide e mbrapshtë. Ai mendon se për këtë duhet të hamë një drekë të tre në shtëpinë e Groult-it. Përgatitemi të dy për drekën. Në të vërtetë, një nga gjeneralët që udhëhoqën krimin, Enver pasha, kronikat e japin me zanafillë të turbullt ballkanase. Vetëm kaq. Me gjasë që emri i Enver Hoxhës të ketë qenë një shtysë fare e rastit në këtë hamendje. Edmond Davedjan është tepër i zgjuar. Për disa minuta ai kap atë që të tjerëve do t’u duheshin disa orë. Mjafton të thënët që më 1915, koha e masakrës, Shqipëria sapo ishte ndarë nga perandoria dhe quhej e pabesë, njëlloj si armenët, se shumë armenë u strehuan në Shqipëri fill pas tragjedisë dhe se marëdhëniet e tyre me shqiptarët janë të shkëlqyera, që ai të bindet. Groult-i është i lumtur si të ishte fjala për njerëzit e vet.

Ky është zoti Groult. Ndaj është e vështirë t’ia prish qejfin. Ndaj edhe sikur të më thotë se duhet të nisem diku në Senegal apo te eskimezët, se atje na u bëka një mbledhje e rëndësishme për Ballkanin, është e vështirë ta kundërshtoj!

Nisemi në Romë pasdite vonë. Sekretarja e Groult-it më lajmëron në telefon se shoferi i tij vjen të më marrë pas disa minutash. Zonja Groult më merr për të më thënë se ajo do të lutet për ne në kishëzën e tyre, që ashtu si shumë familje të tjera të mëdha, Groult-ët e kanë brenda shtëpisë. Kaliks Groult, thellësisht fetare, kështu është lutur për shqiptarët e Kosovës gjatë masakrave dhe bombardimit, ashtu siç është lutur për kombin francez, për viktimat e kullave binjake në Nju Jork dhe, natyrisht për problemet e familjes gjatë jetës së tyre të gjatë. Në Romë mbërrijmë afër mbrëmjes. Hoteli është në Via Veneto, por ngaqë me rezervimet e vendeve dhe gjithçka tjetër është marrë Groult, nuk vë re si quhet. Shikoj vetëm emrin e njohur të Excelsior përballë. Përpara se të shkojmë për darkë, bëjmë një shëtitje më këmbë. Kam qenë shumë herë në Romë dhe, si shumica e të huajve, një pjesë të kujtimeve e kam tek kjo rrugë, gjë që do njëfarë guximi ta thuash, pa u marrë si dashurues i sipërfaqshëm i Romës. Ngaqë nuk kam ndonjë kompleks dhe i bindur se di nga Roma disa gjëra që as banorët e saj s’i dinë, s’kam droje të shpall joshjen time nga Via Veneto.

Groult-it i tregoj njohjen time të parë me Romën. Nëntor i ftohtë, me shi dhe mjegull, mesnatë, vit i zymtë 1967. Kthehem nga Kina dhe Vietnami pas një qëndrimi pesëjavësh atje. Në aeroport takoj një delegacion gazetarësh, midis të cilëve Dritëro Agollin. Ngaqë s’ka linjë për Tiranë, zbresim në Romë. Të humbur, të trullosur nga gongu kinez dhe gjëmat që kemi dëgjuar atje, dy vetura të ambasadës na çojnë në një hotel të vogël me emrin Helio, në mos gaboj. Nata, nuk e di pse, është si ankth. Pa gdhirë mirë, aty nga ora pesë, nuk e di pse, dal në korridor. Përpara meje mezi dalloj një si figurë të turbullt, groteske, që më ngjan si dyzimi im. Kur i afrohem, e shoh që është Dritëro Agolli. S’më zë gjumi, thotë. Mua më keq, i them. Flokët i kemi të kërleshur të dy dhe sytë bërë si të vëngër. S’di se cili propozon të dalim në rrugë. Jashtë është ende errësirë. Shiu imton si më parë dhe rruga është xhan-xhin. Vetëm diku larg duket diçka e ndriçuar. Kur afrohemi, shohim se është një bar i vogël. Brenda ka njerëz. E shtyjmë me ndrojtje derën prej qelqi.

Buongiorno, signori! Zëri i banakierit është kaq i fortë sa na del gjumi plotësisht. Vjen erë e mirë kafeje. Në njërën nga tryezat, një klient, ndërsa gjerb kafenë, vazhdon të flasë me zë kumbues me banakierin. Një tjetër, bashkë me një karabinier pinë diçka te banaku. Karabinieri ka me vete një qen të madh, leshtor. Banakieri na thotë diçka, po ne s’kuptojmë asgjë. Ai ngul këmbë dhe Dritëroi i kthen njëfarë përgjigje. Sytë e të gjithëve kthehen me habi.

Dreq o punë, thotë Dritëroi. Në vend që t’i them se po vijmë nga Kina, më duket se i thashë që jemi kinezë. S’ka kohë t’i them se me ata sy gjysmë të mbyllur ngjajmë me siguri ashtu, sepse italianët aty për aty ia plasin të qeshurës. Qeshim edhe ne. Më duket se na morën për të lojtur, thotë Dritëroi. Unë mendoj të njëjtën gjë, po kjo s’më duket ndonjë hata. Më në fund, porositëm nga një kafe. S’besoj të më ketë shijuar ndonjëherë më shumë një kafe. Dritëroi mendon të njëjtën gjë. Pas një muaji shkretëtirë prej revolucionit kulturor, një kafe e vërtetë, në një bar të vogël të Romës ndaj të gdhirë, pranë dy klientëve të panjohur dhe një karabinieri që mban zinxhirin e një qeni, na duket si kulmi i njerzillëkut të jetës.

Është koha kur ende flasim haptas, kështu që, pasi i themi njëri-tjetrit disa nga qyfyret e këtij udhëtimi, shfryjmë kundër shtetit shqiptar, që ka bërë aleancë me atë mynxyrë që sapo lamë pas. E kisha vënë re gjatë udhëtimit, por do ta ndieja edhe më fort në udhëtimet e mëvonshme se, kur vjen nga jashtë shtetit, sa më shumë i afrohesh Shqipërisë, aq më fort të kap nervozizmi kundër saj. Bashkë me ankthin, natyrisht. ǒgjuhë flisni? na pyet banakieri. Shatra-patra i themi se jemi shqiptarë që po kthehemi nga Kina. Ah, shqiptarë! Thonë ata. Ah, nga Kina! S’dimë aq italisht sa për t’iu thënë se ç’ka këtu për t’u habitur kaq shumë. Tani nuk qeshin më, veç na duket se po na shohin me dyshim. Më në fund, paguajmë dhe dalim. Jashtë po gdhin, por shiu ende s’ka pushuar. Ecim pa folur dhe pa e çarë kryet se po lagemi si dy qyqarë. S’kishim parë ende asgjë nga Roma, s’kishim pasur rast të bëjmë asnjë krahasim me pluhurnajën e trishtë të Shqipërisë, por kishte mjaftuar një bar i vogël nate, në një rruginë të humbur, dhe një kafe e pirë njerëzisht, ashtu si qindra vite rresht në kafenetë e hapura që pa gdhirë, për të na zgjuar një nostalgji të padurueshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›