Anglezët tallën me shfaqjen shqiptare

Në Shqipëri u kthyen si triumfues, duke marrë komplimente edhe nga Kryeministri Berisha. Por, mediat angleze janë tallur me shfaqjen ‘Henri VI’ të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, e cila u shfaq para publikut anglez në Londër, në kuadër të Festivalit Botëror të Shakespeare-it “Globe to Globe”. Në këtë festival janë luajtur 34 vepra të dramaturgut anglez William Shakespeare në po aq gjuhë të ndryshme të botes, përfshirë edhe gjuhën shqipe. Pjesa e dytë e ‘Henri VI’ e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë u dha më 12 maj, pas prezantimit të Teatrit Kombëtar të Serbisë, që dha pjesën e parë të kësaj shfaqjeje dhe para asaj të Teatrit Kombëtar të Maqedonisë, që dha pjesën e tretë. Edhe pjesët e serbëve dhe maqedonasve nuk kaluan pa u kritikuar nga mediat angleze, por jo në atë masë si performanca e aktorëve shqiptarë, të cilët më t’u kthyer në Shqipëri u priten edhe nga
Kryeministri Berisha, i cili u shprehu falënderimet e tij për ‘prezantimin e shkëlqyer që i bënë artit skenik shqiptar’.
“Jam ndjerë i emocionuar kur më informuan se interpretimi juaj dhe prezantimi i trupës shqiptare në tërësi është pritur me kureshtje dhe është vlerësuar tepër pozitivisht nga publiku dhe media britanike”, ishte shprehur Kryeministri Berisha. Por, kushdo që ta ketë informuar kryeministrin për vlerësimin e shfaqjes nga mediat britanike duket se ose nuk i ka lexuar ato ose nuk ka ditur t’i lexojë.
Në artikullin e tij të botuar në në gazetën ‘The Guardian’, gazetari Matt Trueman shkruan se oborri i Henrit duket si një imazh i Senatit të Cezarit.
“Me gjithë pëshpërimat e konspiracionit përqark, Indrit Çobani e sjell Henrin si një drejtor shkolle pa shije, që gjithsesi nuk është edhe shumë i papërshtatshëm por është i mërzitshëm. Roli i rebelit Jack Cade, i luajtur nga Bujar Asqeriu, një Rambo baritor, të jep një efekt pozitiv të shumëpritur, por ky efekt prishet nga aktrimi i pasuesve të tij të zhurmshëm”, shkruan ‘The Guardian’.
Ndërkaq, Pete Orford në bloggingshakespeare.com shkruan se në këtë prodhim shqiptar të ‘Henry VI’, Pjesa II, skena vendimtare si vdekja e Beaufort janë prerë nga një kompani e patrembur nga fama e momenteve të tilla.
“Në tri raste vijueshmëria e pjesës u shënjua nga momente surreale: pjesa filloi me katër aktorë që garonin rreth skenës me motorë, teksa mbanin mbi kokë kurora prej letre. Para skenës kur zbulohet vdekja e Gloucesterit, katër valltarë vërtisin një shtrat rreth skenës dhe në mbyllje të shfaqjes, kur gungaçi Richard lë skenën duke vendosur një kurorë prej letre mbi fron, stoli lëviz përpara, ndërsa një klarinetë luan një melodi nga galeria”, shkruan Orford. Sipas tij, këto momente nuk ishin integruar në veprimin kryesor, por ishin interlude para ose pas skenave, dhe ato as mpikseshin me pjesën tjetër, as ishin të rëndësishme në shpjegimin e lëvizjeve të tyre. Ai shton se imagjinata pas këtyre interludeve binte në kontrast me qasjen e përmbajtur në pjesën tjetër të shfaqjes.
“Në tërësi ky ishte një prodhim i pabalancuar. Shumë shpesh e kam kapur vëmendjen time të shpërndarë, për shkak të bllokimeve statike, të cilat pengonin bartjen e kuptimit”, shkruan Orford.
Theartsdesk.com, një blog që merret me kritikë të artit, muzikës dhe filmit, gjithashtu e kritikon shfaqjen shqiptare, duke e krahasuar me Boratin. Madje i kritikon aktorët, të cilët sjellin efekte komike duke përqeshur një person me aftësi të kufizuara.
“Ky festival gjithmonë do ta ketë momentin e vet alla Borat. Dhe erdhi falas nga shqiptarët, të cilët për të sjellë efekte komike, në mes të ‘Henry VI’, u zhytën në përqeshjen bujare të një personi me aftësi mendore të kufizuara. Pati reagimin më të fortë në të qeshura nga shqiptarët mërgimtarë, duke sugjeruar se është ende sa të duash giciluese përqeshja e handikapatëve në kulturën shqiptare. Ishte një kujtesë domethënëse, se ti e fton globin në Globe në kërcënim të moralit tënd”, shkruan theartsdesk.com.
Këto përqeshje dhe kritika nga mediat angleze duhet të na mësojnë një gjë: kur nuk dimë të vlerësojmë, më mirë është të heshtim.