E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglezi, Policët, Celulari

Share

Nga Altin Ketro

Pasdite tek Zogu i Zi, Tiranë. Në një anë të rrethrrotullimit duket se po ushtrohej kontroll policor për shkelësit e rregullave të qarkullimit. Një transportues makinash po hipte në karroceri një autoveturë të vogël. Përpara saj ndaluar një fuoristradë tip Range Rover, me targa YJOB VAA. Një anglez dhe tri policë po debatonin fort, por duket se vetëm me njërin prej tyre e kishte kunjin anglezi. Ndala edhe unë hapin si shumë të tjerë aty rrotull, i shtyrë nga kureshtja sesi do përfundonte ky debat. Anglezi, një djalë i ri në moshë, dukej shumë i sigurt në arrogancën e tij. Por edhe polici debatues nuk rrinte më poshtë nga toni i zërit. Nuk e di sesi kishte nisur fillesa, nga ndalimi i makinës e deri tek debatet me njëri-tjetrit, por sidoqoftë kisha mundësi ta mësoja nga debatet në vijim.

Erdhi një moment që anglezi nuk duroi dot dhe duke i rënë me grusht makinës së tij ju drejtua policit me fjalët unë e kap dhe e djeg qysh tani këtë makinë, sepse kam 7 të tjera si kjo në shtëpi!! Polici dhe dy kolegët e tjerë shtangën, duket që e besuan. Si thonë shaka, 8 fuoristrada Range Rover që do ia kishte zili edhe Parku i Delegacioneve!

Anglezi vijoi më tej duke i thënë se ti nuk më njeh mua, se e di çfarë të bëj, por edhe polici pak a shumë iu përgjigj me të njëjtat fjalë. Ndonëse në vendngjarje ishin 3 policë, dukej se anglezi kishte një lloj superioriteti që ia jepte edhe mefshtësia sesi kolegët e policit debatues po e trajtonin situatën.

Polici debatues, një mesoburrë me pak flokë të rëna, vuri kapelen mbi krye dhe u tërhoq pak mënjanë. Duket se anglezi ndjeu se ishte i plotfuqishëm dhe pasi mori në dorë celularin, filloi të shtypte butonat për të gjetur një numër të kushedi se kujt, me anë të të cilit, sipas anglezit, do i tregonte qejfin policit që i kishte rënë demek kot më qafë.

Kureshtja e popullit aty rrotull u bë më e madhe se, si do i shkonte filli kësaj pune. Çfarë ndodhi, do thoni ju? As më shumë e as më pak, por dy kolegët e tjerë filluan ti luten anglezit me fjalët po lerë këtë muhabet, mbyll me kaq . Ishte një skenë, sa qesharake, aq edhe dramatike, sesi përfaqësues të shtetit u bënë aq të vegjël përpara celularit të një anglezi. Domosdo, që ata besonin se përtej atij celulari qëndronte një mik i fuqishëm.

E pashë të udhës të mos qëndroja më gjatë dhe kësisoj nuk e mora vesh nëse anglezi i telefonoi apo jo mikut të tij. Nuk kisha kurrfarë kurioziteti për këtë gjë. Anglezi mund të kishte luajtur bllofin, ose edhe nëse kishte ndonjë mik me pozitë, mund të kishte ndërruar mendje nga lutjet e kolegëve të policit debatues që përpiqeshin ta bindnin që ta linte me kaq, duke bërë kështu një lloj kompromisi mes palëve. Edhe aq sa pashë kuptova sa poshtë bie personaliteti i policit/ve, kur midis tyre dhe atyre që shëtisin me makina luksoze qëndron një mik që është vetëm një zile celulari larg.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›