E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia, 2 javë për Kapelon, ka një ide edhe për Bekham

LONDER-I ardhur me shumë bujë në krye të Anglisë, duke i kthyer besimin një populli të tërë se do të fitonte Kupën e Botës, Fabio Kapelo është tashmë në qendër të akuzave për dështimin në Afrikën e Jugut. Trajneri italian rrezikon të shkarkohet nga Federata Angleze, por kjo e fundit ka marrë dy javë kohë për të analizuar dështimin dhe për të reflektuar mbi të ardhmen e tij. Vetë Kapelo ka përjashtuar çdo mundësi për dorëheqje, duke thënë se dëshiron të shohë më përpara nëse do të ketë apo jo besimin e federatës përpara se të vendosë. Duke parë dështimin me Stiv MekKlaren, i cili nuk e kualifikoi Anglinë as për në Europianin 2008, Federata e këtij vendi zgjodhi të merrte një prej trajnerëve më fitues të Evropës, Fabio Kapelon. Edhe pse pati një fushatë të shkëlqyer eliminatoresh, Anglia e tij tregoi fytyrën e saj të zakonshme në Kupën e Botës, ku regjistroi 2 barazime, 1 fitore dhe 1 humbje në 4 ndeshjet e zhvilluara. Problemet për Anglinë nisën që në fillim të vitit, pas skandalit Xhon Terri-Vanesa Perronsel, gjë që çoi në heqjen e shiritit të kapitenit mbrojtësit të çelsit. Pavarësisht kësaj, Uejn Brixh i dha lamtumirën Botërorit, duke mos pranuar dot të qëndrojë me ish-shokun e tij Terri. Më pas erdhi dëmtimi i Devid Bekham, një figurë ikonë tek Anglia. Një tjetër problem lidhej me lodhjen e madhe të futbollistëve, gjë që u pa në miqësoret para nisjes së Botërorit, kur anglezët zhgënjyen totalisht edhe pse arritën të fitonin si me Meksikën, ashtu edhe me Japoninë. Para nisjes së turneut, Kapelo humbi edhe kapitenin Rio Ferdinand për një dëmtim, gjë që ndikoi jo pak në prapavijën të Tre Luanëve në këtë Kupë Bote. Po ashtu, porta u bë një shqetësim më vete, pas gafës së rëndë të Robert Grin në takimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Analiza e Kapelos
Fabio Kapelo ka folur dje sërish për mediat, këtë herë më gjakftohtë, pasi kishin kaluar 24 orë nga humbja 3-1 me Gjermaninë. "Nuk dorëhiqem, dua të qëndroj trajner i Anglisë, - deklaroi ai. - Në këtë pikë është Federata ajo që duhet të vendosë. Kam folur sot (dje) në mëngjes me krerët e Federatës dhe u kam bërë të qartë synimet për të qëndruar në vendin e tim, ndërsa ata kanë marrë dy javë kohë për të vendosur". Italiani më pas analizoi edhe shkaqet e dështimit në Botëror, duke pranuar se sezoni i lodhshëm në Premier Ligë ka kompromentuar formën fizike të Anglisë. "Kam folur me bashkëpunëtorët e mi dhe kemi konstatuar se gjendja e përgjithshme, jo vetëm psikologjike, por sidomos ajo fizike, nuk ishte e mirë. Lojtarët janë stërvitur gjithnjë mirë, por kishin disa mangësi, - u shpreh Kapelo. - Humbja? Luajtëm mirë deri në golin e 3-1. Mendoj se goli i mohuar i Lampard do ta kishte ndryshuar shumë deshjen, sepse humori i ekipit do të kishte ndryshuar. Pasi gjetën golin e tretë, gjermanët ishin superiorë". I pyetur për rrogën e majme që merr nga Federata, Kapelo u përgjigj: "Kur më thirrën për këtë detyrë, ishin vetë drejtuesit ata që vendosën për rrogën. Nuk mendoj se vlera e një burri matet me paratë që merr".
Bekham
Ndërsa e ardhmja e Kapelos do të vendoset në këto dy javë, në Angli janë shtuar zërat se pankina e kombëtares do t'i besohet Devid Bekham. Sipas Evening Standard, FA mund të vendosë t'ia besojë pikërisht ish-kapitenit këtë detyrë, duke ndjekur shembullin e Argjentinës me Maradonën. Një hipotezë që ndoshta për momentin nuk ka shumë baza, por sipas Standard, "askush nuk mund të bashkojë vendin rreth skuadrës kombëtare më shumë se ai".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›