E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia “vjedh” Bejl e Ramsej, zemërohet Skocia e Uellsi

Anglia e ka detyruar Skocinë, Uellsin e Irlandën e Veriut që t’i lejojnë sportistët e tyre që të luajnë nën flamurin e Britanisë së Madhe në Lojërat Olimpike Londra 2012. Yjet si Gareth Bejl i Totenham e Aron Ramsej nga Arsenal mund të përzgjidhen me përfaqësuesen e Anglisë, pasi FA (Federata e Futbollit e Anglisë) dhe Asociacioni Olimpik i Britanisë lëshuan një vendim të përbashkët, i cili zemëroi jo pak këto vende shtetet e tjera në ishull. Do të jetë hera e parë që ekipi i Britanisë së Madhe kompletohet që nga Olimpiada e Romës në vitin 1960. Uellsi dhe Skocia e quajtën këtë vendim si ide të dështuar për të shitur më shumë bileta. Edhe skuadra e femrave do të jetë e bashkuar, për herë të parë. Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Skocisë, Stjuart Regan, ndihet i zhgënjyer me këtë vendim. “Ne jemi kundër pjesëmarrjes në ekipin e Britanisë së Madhe. Ne kemi nevojë ta mbrojmë identitetin tonë”, tha ai. Këtë javë është marrë vendimi që FA e Anglisë ta menaxhojë ekipin e futbollit dhe t’i selektojë lojtarët, të cilët i zgjedhin federatat përkatëse. Prandaj, yjet uellsianë si Bejl e Ramsej, që janë shprehur pro pjesëmarrjes, tashmë e kanë ‘vizën’ përfundimtare për në Olimpiadë. Konfirmimi arrin vetëm disa ditë para se të fillojë shitja e më shumë se një milion biletave për turneun e futbollit. Federata e Futbollit e Uellsit, e Irlandës së Veriut dhe e Skocisë tashmë frikësohen se do t’u mohohet pavarësia që në të ardhmen të marrin pjesë në evenimente si Kampionati Botëror apo Kampionati Europian. Shefi ekzekutiv i Asociacionit Olimpik të Britanisë, Endi Hant, thotë se pjesëmarrja e ekipit të bashkuar të Britanisë së Madhe në Olimpiadën 2012 do të jetë një ndër momentet përcaktuese dhe kritike të Lojërave Olimpike të Londrës. Menjëherë është përgjigjur Federata e Futbollit e Skocisë. “Supozoj se Endi Hant është nën presion nga Komiteti Organizativ dhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që të shesë sa më shumë bileta për evenimentin e futbollit”, deklaroi shefi ekzekutiv i kësaj federate, Regan. Përpos Bejl e Ramsaj, për ekipin e Britanisë së Madhe do të luajnë edhe Uejn Runi, por edhe David Bekham. Ky i fundit ka shfaqur dëshirën të jetë i pranishëm në Londër si lojtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›