E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE vulos sot ndryshimet e propozuara

Strukturat e FSHF-së janë vënë në lëvizje prej disa javësh për të bërë ndryshimet e nevojshme në prag të sezonit të ri futbollistik. Sot do të mblidhet komiteti ekzekutiv në FSHF, i cili do të miratojë ndryshimet në rregullore, strukturën e re të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë dhe rregulloren e re të arbitrimit, ku përfshihen edhe pagesat e reja për zyrtarët e ndeshjeve (gjyqtarë vëshgyes dhe delegatë. Sektori i garave i ka dërguar KE-së propozimin për strukturën e re të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë. Superiorja, ku përfshihen 14 skuadra, do të luhet me dy faza (vajtje-ardhje), duke reduktuar ndjeshëm numrin e ndeshjeve (26). Mirëpo do të ndryshohet struktura e kupës. Pas tureve paraeliminatore (luajnë skuadrat e kategorisë së dytë), dy skuadra që kualifikohen do t’u bashkohen 30 skuadrave të kategorisë së parë dhe të dytë, që luajnë në turin e radhës me sistem eliminimi. Më pas, kur mbesin 16 skuadra, kalohet në sistem grupi, derisa të mbeten 2 skuadra për çdo grup. Pas ndeshjeve të grupit, luhen gjysmëfinalet dhe finalja. Gjithashtu do të shqyrtohet edhe Rregullorja e Arbitrave, e cila është një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes së KE-së. Pritet të ndryshojë sistemi i përzgjedhjes dhe i vlerësimit të arbitrave, por edhe i vëzhguesve, që tashmë do të bëhen nga komisionet përgatëse, pra jo nga një person i vetëm. Këto ndryshime pritet të ndikojnë pozitivisht në mbarëvajtjen e kampionatit dhe rritjes së besueshmërisë në sezonin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›