E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal bastesh edhe ne Greqi. 10 ne pranga

Futbolli europian është i sëmurë. Harta e skandalit të basteve zgjerohet dhe pas Italisë, nën akuzë është Greqia. Një urdhër i prokurores së Athinës, Eleni Raikou ka vënë në pranga 10 persona, ndërsa 80 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, pasi akuzohen për baste të paligjshme dhe trukim të ndeshjeve.

Por ajo që ka tronditur akoma më shumë futbollin grek është përfshirja e emrave të mëdhenj të këtij sporti, të gjithë në shënjestër si organizatorë të një rrjeti kriminal. Në listë janë edhe presidentët e dy skuadrave të Superligës helene, Achilleas Beos i Olimpiakos Volos dhe Stavros Psomiadis i Kavala.

Hetimi për trukime të ndeshjeve në kampionatin grek ka nisur në vitin 2009, kohë kur UEFA i ka dorëzuar Federatës Greke të Futbollit që dosje me ndeshje të dyshuara sidomos në kategorinë e dytë. Kësaj dosje i është shtuar një tjetër listë me 41 ndeshje të tjera të konsideruara nga qeveria evropiane e futbollit si të dyshuara apo të trukuara.

Pas një hetimi gati 2-vjecar të prokurorisë së Athinës 10 persona janë arrestuar nga policia greke, ndërsa 80 të tjerë vazhdojnë të ndiqen në gjendje të lirë, ndërkohë që kjo listë rrezikon të zgjerohet me emra të tjerë të njohur të futbollit grek. Rasti i Greqisë konfirmon frikën e një futbolli të korruptuar në Europë, pasi skandali në Superligën helene vjen pak kohë pas tsunamit që tronditi nga themelet futbollin italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›