E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglishtja, Berisha: Cilësi më të mirë, çmim më të lirë

Cilësi sa më të mirë të mësimdhënises së gjuhës angleze dhe çmim të lirë për mësimin e saj. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në konferencën me temë "Gjuha Angleze dhe Sistemi Arsimor - Një mundësi e re".
 

“Falenderoj këshillin britanik për mbështetjen që i japin shqipërisë në përpjekjen e saj për të shndëruar gjuhën angleze në gjuhën e dytë pas gjuhës shqipe për të gjithë fëmijë, në gjuhën e huaj të parë dhe sa më shpejt të jetë e mundur” theksoi Berisha.

Ndërsa e ka cilësuar gjuhën angleze si gjuhën e globalizmit, Berisha theksoi se duhet të bëhet gjithçka që fëmijët ta mësojnë atë. “Në këtë nismë mendoj se qeveria ka marrë një vendim shumë të drejtë sepse gjuha globale është gjuha angleze. Nuk diskutohet për të inferiorizuar gjuhët e tjera pasi çdo gjuhë është e bukur por anglishtja për një seri rrethanash është kryesore në gjuhën e globalizimit. Është gjuha e kësaj kohe ndaj dhe është e rëndësishme që të shpejtojmë dhe të ecim sa më shpejt të pajisim fëmijët tanë me gjuhën e komunikimit global” theksoi Berisha.

Ai ka theksuar më tej se gjuha angleze do të jetë e detyrueshme për të gjithë fëmijët që nga klasa e tretë.  “Nuk duhet të kemi asnjë ndrojtje për përpjekjet më maksimale për ta bërë këtë komb pas shqip folës në anglisht folës. Në këtë proces të përshpejtuar ka vështirësi reale. Unë kuptoj se në disa norma të vendosura nga ne mund të ketë edhe arbitralitet por ne së bashku i shqyrtojmë dhe me rëndësi është që të konsolidojmë anglishten nga klasa e tretë deri në provimin e maturës si gjuhë të parë të huaj për çdo fëmijë shqiptar. Me rëndësi është që ne të zhvillojmë atë dhunti absolutisht të lindur të shqiptarëve për gjuhët e huaja çka duhet thënë që çdo nxënës duhet të mbaroj gjimnazin me dy gjuhë të disponuara, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht por edhe kinezçe e cila merr terren dhe rëndësi të vençantë pasi Kina është superfuqia e dytë e botës në ekonomië planetare” shtoi më tej Berisha.

Nga ana e tij ambasadori i Britanisë së Madhe Nicholas Cannon theksoi se mësimi i gjuhës angleze në universitete do të sillte një standart të ri. Ai ka theksuar më tej se vitin tjetër në 16 shkolla profesionale të vendit do të punohet me një kurikulum të ri për gjuhën angleze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›