E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglo-Adriatika, bono shpërndahen nga 1 prilli

Udhëzimi u firmos nga ministri i Financave, Ridvan Bode

Duke filluar nga data 1 prill, do të nisë shpërndarja e bonove të privatizimit që kanë mbetur të ngrira në kompaninë Anglo-Adriatika. Nëpërmjet një udhëzimi të Ministrit të Financave, Ridvan Bode, të gjithë qytetarët që kanë përfituar bono dhe letra me vlerë gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike dhe i kanë depozituar më së shumti në kompaninë e njohur Anglo-Adriatika, do të përfitojnë vlerën e tyre nga bankat, për ta hedhur më pas sërish në treg. Në udhëzim thuhet se rishpërndarja e bonove të privatizimit dhe të letrave të të përndjekurve, të investuara në fondet e investimeve, të krijuara në përputhje me ligjin nr. 7979 datë 26.07.1995 Për fondet e investimeve do të kryhet pranë bankave të nivelit të dytë, që kanë shërbyer si banka depozituese të fondit përkatës. Urdhri parashikon në të njëjtën kohë se procesi i rishpërndarjes së bonove do të fillojë më 1 prill të këtij viti dhe do të zgjasë 7 muaj, deri më 30 shtator. Në të njëjtën kohë, qytetarët do të drejtohen në bankat e nivelit të dytë për të rimarrë bonot, ndërkohë që vetë bankat do të aplikojnë tarifat e tyre për çdo shërbim. Udhëzimi përcakton se individët që kanë investuar në fondet e investimit, të krijuara në përputhje me pikën 1 të këtij udhëzimi e që dëshirojnë të rimarrin mbrapsht bonon/bonot e investuar/ investuara, duhet të paraqiten pranë sporteleve të bankës përkatëse për ti tërhequr ato. Dokumentet identifikuese dhe dokumentacioni tjetër i nevojshëm, përcaktohet nga banka. Ndërkohë nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura. Procedura e asgjësimit të bonove të mbetura, do të rregullohet me akt të veçantë, në përputhje me legjislacionin e fushës, thotë udhëzimi. Në të njëjtën kohë, për të gjithë qytetarët që nuk jetojnë më, por që kanë depozituar vite më parë bono privatizimi, do të zbatohet praktika e parashikuar në Kodin Civil lidhur me trashëgiminë. Qeveria e PD-së, pas vitit 1992 hodhi në treg bonot të cilat qytetarët do ti përdornin për privatizimin e aseteve shtetërore. Kompania kryesore Anglo Adriatika dhe disa të tjera morën licencën për të grumbulluar këto bono, por pas trazirave të vitit 1997 ato ngelën të ngrira. . Në këtë udhëzim përcaktohen procedura e aplikimit për 45 mijë familjet për tërheqjen e bonove të privatizimt që kanë qebe grumbulluar tek Anglo-Adriatika.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›