E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Zgjidhni krizën, duke hapur kutitë

Grupi socialist e demokrat në Parlamentin Europian del me një deklaratë për krizën në Shqipëri. Sipas këtij grupi, nëse kriza vazhdon, vendi rrezikon BE-në


TIRANË - Moszgjidhja e krizës politike nga Parlamenti shqiptar, i cili miratoi ngritjen e një komisioni hetimor pa votat e opozitës ka sjellë edhe reagimin e ashpër të Parlamentit Europian. Institucioni i Bashkimit Europian ka kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të krizës politike përmes transparencës e plotë të zgjedhjeve të Qershorit, ku të përfshihet edhe hapja e kutive të votimit.


Ky qëndrim ka ardhur nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian përmes një deklarate lëshuar liderëve politikë shqiptarë duke u kërkuar atyre që të zgjidhin ngërçin politik, pasi në të kundërt, Shqipëria rrezikon integrimin e saj në BE.


Ky grupim politik thekson, se shumica në pushtet akoma nuk i ka kthyer një përgjigje konkrete opozitës parlamentare për të realizuar kërkesën e saj mbi transparencën e plotë të zgjedhjeve, duke hapur edhe kutitë e votimit.


"Pas kthimit të pjesëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është dhënë ende nga ana e partive të mazhorancës qeverisëse një përgjigje e kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të zhvillojë një hetim të plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive te votimit, mbi mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Shqipëria e gjen sërish veten në një krizë të thellë politike, e cila po bllokon seriozisht ambiciet Europiane të vendit",- thuhet në deklaratë.


Më tej, në këtë deklaratë Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE u bën thirrje forcave politike shqiptare dhe liderëve të tyre që të kryejnë transparencën e zgjedhjeve, jo vetëm për zgjidhjen e situatës aktuale politike, por edhe për krijimin e një baze të qëndrueshme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale apo parlamentare, me qëllim që këto zgjedhje të përmbushin standardet ndërkombëtare dhe të mos kontestohen si zgjedhjet e vitit të kaluar.


Sipas socialistëve dhe demokratëve Europianë, nevojitet që mënyra e zgjidhjes së krizës politike të realizohet përmes një dialogu konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës, me synimin për të rritur e forcuar edhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.


"Theksojmë po ashtu se rruga për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri duhet gjetur urgjentisht dhe se duhen vendosur bazat e një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës me synimin për të forcuar procesin e integrimit Europian të vendit",- shkruhet në deklaratë.


Duke parë vazhdimësinë e krizës politike si pasojë e tensionit të lartë politik midis shumicës dhe opozitës si dhe mungesën dialogut konstruktiv midis tyre, mësohet se dy zëvendëspresidentët e grupit të demokratëve dhe socialistëve Europianë, përkatësisht Severin dhe Svoboda kanë shprehur vullnetin e tyre politik, që së bashku me përfaqësues të tjerë të Partive Popullore Europiane të vizitojnë Shqipërinë për të ndihmuar në një zgjidhje të ekuilibruar të krizës politike.


"Zëvendës Presidentët e Grupit, Severin dhe Svoboda përsëritën vullnetin e tyre që, nëse është e mundur së bashku me kolegët e tyre nga Grupi PPE në Parlamentin Europian, të vijnë në Shqipëri dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha palët për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për krizën që po kalon vendi, mbi bazat e një zgjidhjeje të ekuilibruar",- përfundon deklarata e PE-së.


***********************

Borchardt: Zgjidhni problemet politike


KORÇË - Kur prej 7-muajsh kriza politike në vend vazhdon të mos marrë zgjidhje, faktori ndërkombëtar vazhdon të rrisë apelin e tij për zgjidhjen e kësaj situate, pasi në të kundërt Shqipëria mund të përballet me pasoja të rënda për integrimin e saj në Bashkimin Europian.


Në këtë mënyrë, ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Bernd Borchardt ka kërkuar dje nga qyteti i Korçës, që forcat politike të zgjidhin sa më parë ngërçin politik, pasi vazhdimi i kësaj situate është krejt i pafrytshëm për procesin e integrimit në BE.


Ambasadori Borchardt, pasi mori pjesë në inaugurimin e një projekti në punët publike, që është i financuar nga Gjermania, theksoi se edhe nëse mund të jenë arritur standardet ekonomike, kjo nuk është e mjaftueshme për integrimin Europian të vendit pa zgjidhur krizën politike.


Kriteri politik është një nga kriteret parësorë edhe në përgjigjen e pyetjeve të Pyetësorit nga ana e Shqipërisë për procesin e liberalizimit të vizave si dhe për testimin e gatishmërisë së vendit tonë për t'u bërë pjesë e vendeve të BE-së. "Çelësi për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Europian, gjendet në realizimin sa më të shpejtë të reformave, në mënyrë që të përmbushen standardet e kërkuara.


Por këtu nuk bën pjesë vetëm aspekti ekonomik, por edhe ai politik. Ne presim dhe shpresojmë një zgjidhje të problemeve politike në vend nëpërmjet bashkëpunimit konstruktiv, në frymën e Bashkimit Europian", - tha dje Borchardt. Ai vuri në dukje se Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Europës, por nevojitet që ajo më parë të rikthejë stabilitetin politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›