E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jo më projekte të mbartura të KE-së

Berisha në mbledhjen e KPS-së: Rishikim disa projekteve

Një shqetësim i shprehur për mënyrën se si janë mbartur ato përgjatë 10 viteve, të ndërthura me urdhrin për ti përfunduar pa përjashtim të gjitha projektet e financuara nga KE-ja për vendin tonë. Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit Strategjik, që të çojë drejt përfundimit të gjitha projekte të financuara nga Komisioni Evropian në vendin tonë. Bëhet fjalë për projekte të mbaruara për një periudhë gati 10-vjeçare, për të cilat Kryeministri Sali Berisha urdhëroi anëtarët e KPS-së që ti japin zgjidhje përfundimtare. Kjo nënkupton planifikimin e një qëndrimi të ri mbi disa prej këtyre projekteve, bazuar në problematikën që mbartin dhe çfarë ka sjellë zvarritjen e tyre në kohë. Sipas Berishës, është shumë i rëndësishëm finalizimi sa më shpejt i këtyre projekteve, duke shtuar se disa prej tyre mund ti nënshtrohen rishikimit, ndryshimeve dhe shtesave financiare nëse nevojitet një gjë e tillë. Pikërisht për këtë çështje, Kryeministri Berisha mblodhi paraditen e djeshme Komitetin e Planifikimit të Strategjive, i cili mori në shqyrtim një nga një, një seri projektesh të rëndësishme, të financuara nga Komisioni Evropian, me qëllim finalizimin e tyre, në kohën më të shkurtër të mundshme. Berisha evidentoi se Ministria e Integrimit, e cila mbikëqyr ecurinë e projekteve, ka veçuar së bashku me Departamentin e Koordinimit dhe të Bashkërendimit të Strategjive dhe ndihmës së huaj, këto projekte dhe i ka sjellë për një shqyrtim më të hollësishëm në këtë komitet, ku janë të përfaqësuar të gjitha institucionet, sidomos ato të lidhura me projektet që do të shqyrtohen. Kryeministri vuri në dukje se në disa raste, për shkak të kompleksitetit, është i nevojshëm një qëndrim i ri ndaj projekteve në fjalë. Disa prej këtyre projekteve kanë tetë vite në zbatim e sipër. Është marrë me trajtimin e tyre, por kjo mbledhje duhet tu japë përgjigje përfundimtare. Duke evidentuar se ka projekte, të cilat datojnë që nga vitit 2002 apo 2003, Kryeministri theksoi se është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje ti japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve, në mënyrë që ajo të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Në ndonjë rast mund të ketë nevojë për ndryshim të mbikëqyrjes së projektit. Në raste të tjera ka domosdoshmëri për ndërhyrje edhe në buxhetin e shtetit, sepse disa nga këto projekte datojnë që nga viti 2002 apo 2003, disa janë projekte që bashkëlidhen me projekte të tjera, por është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje ti japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve në mënyrë që të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›