Anija “Bel Espoir” në Durrës, të rinjtë ndanë mesazhe shprese, dialogu e solidariteti

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Për herë të parë në vendin tonë mbërriti dy ditë më parë anija “Bel Espoir”, si pjesë e nismës frymëzuese MED25, “Një udhëtim drejt një Mesdheu më njerëzor”, mbështetur nga Selia e Shenjtë dhe Dioqeza e Marsejës.
Gjatë kësaj ndalese në Portin e Durrësit, 25 të rinj nga brigje të ndryshme të Mesdheut, përfshirë zona të prekura nga konflikte, ndanë me publikun shqiptar mesazhe shprese, dialogu e solidariteti.
Në bordin e kësaj “shkolle lundruese”, ata ndërtojnë ura miqësie përmes debateve, reflektimeve shpirtërore dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit, solli një mesazh për drejtësi dhe humanizëm në rajonin tonë, ndërsa Atë Alexis Leproux, drejtues i Takimeve të Mesdheut 2025, vlerësoi Shqipërinë si një qendër historike e bashkëjetesës ndërfetare dhe një shembull frymëzues për paqen mes popujve.
Nga 4 deri më 6 gusht, Durrësi dhe Tirana u bënë skena e aktiviteteve reflektuese dhe bashkëbisedimeve me të rinjtë për tema jetike si migracioni, bashkëjetesa dhe sfidat e përbashkëta mesdhetare.
Falë mikpritjes së Portit të Durrësit, Shqipëria u bë pjesë e këtij udhëtimi unik që synon të bashkojë mbi 200 të rinj nga e gjithë hapësira mesdhetare, në një rrugëtim 8-mujor drejt Triestes, ku do të mbahet Festivali i Rinisë Mesdhetare.
1 nga 11/k.s//a.f/