Anije per tifozet ne portin polak te Gdanskut

Një linjë transporti detar të udhëtarëve nga Gdansku i Polonisë për në Stokholm të Suedisë ka stacionuar në portin e mësipërm polak një anije për të ndihmuar akomodimin e tifozëve të ndryshëm të kampionatit europian të futbollit.
Kompania “Poliferris” ka vendosur anijen e udhëtarëve “Skandinavia” në të cilën kanë gjetur strehë dhe shërbime të tjera rreth 800 tifozë, të cilët janë irlandezë dhe spanjollë.
Anija është një mundësi shumë e mirë në krahasim me hotelet në Gdansk pasi kuptohet që është shumë më e lirë nga ana financiare, diçka tepër e rëndësishme në këtë periudhë krize ekonomike. Aq më shumë që tifozët si sportivë që janë nuk duan luks në udhëtimin e tyre në Poloni.
Anija “Skandinavia” ka jo vetëm dhoma fjetjesh, por edhe dy restorante, dy bar-kafene, një lokal me gatime në skarë si dhe një bar panoramik.
Pamja që nga anija është shumë e bukur dhe prej bordit të saj mund të shihet stadiumi i Gdanskut. Si distancë, stadiumi nuk është më shumë se 3 km larg nga porti.
Tek “Skandinavia” janë vendosur tifozë irlandezë dhe spanjollë në datat 13-15 qershor, ndërsa në datat 18-19 qershor, aty do të qëndrojnë tifozë kroatë dhe spanjollë.
Dy ditë e dy netë qëndrim në dhomat më të lira kushton 100 euro, ndërsa në kabinat luksoze çmimi arrin në 400 euro.