Anika Enterpises blen bankën e Kreditit
Komisioni i Konkurrencës ka miratuar autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet shitblerjes 100% të aksioneve të Bankës së Kreditit të Shqipërisë tek shoqëria Anika Enterprises S.A.
Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të njoftimit të përqendrimit, vërejti se në bazë të transaksionit të realizuar, Anika Enterprises përfiton kontrollin e plotë nëpërmjet transferimit të 100% të kapitalit aksionar nga shoqëria Banka e Kreditit të Shqipërisë. Transaksioni i shitblerjes së aksioneve të Bankës së Kreditit të Shqipërisë nga shoqëria Anika Enterprises SA është ndryshim kontrolli dhe nuk ndryshon strukturën e tregut bankar. Palët në përqendrim kanë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në disa shoqëri që ushtrojnë veprimtari në tregje të ndryshme nga tregu bankar dhe nuk kanë klientë të përbashkët. Nga analiza e konkurrencës nuk ka tregje të prekura nga përqendrimi i njoftuar. Gjithashtu, Banka e Kreditit të Shqipërisë ka një pjesë të vogël të tregut bankar shqiptar. Transaksioni i njoftuar konsiston në përftimin e kontrollit të plotë të Bankës së Kreditit të Shqipërisë nga shoqëria Anika Enterprises dhe nuk krijon ose forcon pozitën dominuese të shoqërisë pas përqendrimit.