E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi i ISHP-së, veset e studenteve, duhani dhe alkooli



Emanuela Sako

Konsumimi i alkoolit dhe duhanpirja rezultojnë në shifra të larta përdorimi nga të rinjtë. Studentët janë një nga kategoritë që preferojnë që dallohen për këto vese. Sipas përcaktimeve që kanë bërë specialistët e ISHP-së kjo ndodh për arsye të ndryshme. Sipas studimit të ISHP-së, rritja e konsumit për frymë të pijeve alkoolike në vend, por veçanërisht ulja e moshës së përdorimit të tyre, shënon rritje duke përmendur se 59 për qind e studentëve përdorin alkoolin. Ndërsa duhanpirja në total është më e lartë te meshkujt sesa te femrat, përkatësisht 60 %, kundrejt 18%.
Të dhënat e një studimi të ndërmarrë nga specialistët e shëndetit publik treguan se prevalenca e konsumimit të pijeve alkoolike tek studentët është në shifra të larta. Nisur nga kjo, specialistët rekomandojnë më shumë programe me target të rinjtë, sidomos studentët për parandalimin e këtij fenomeni.
Studimi
Studimi i ISHP-së përfshiu 400 studentë në Tiranë, me moshë mesatare 21 vjeç, të cilëve iu shpërnda një pyetësor për nxjerrjen e të dhënave të ndryshme socialdemografike. Studimi u realizua gjatë periudhës prill-maj 2009. Studentët kishin një prejardhje nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, ndërsa rreth 56 % e tyre ishin meshkuj, kundrejt 44 % femra. Bazuar në rezultatet e studimit, 75.2 % e studentëve shprehen se e përdorin për qejf alkoolin, kundrejt 11.6 % që theksuan se e përdorin atë kur mërziten. Ndërsa 10.6 % e studentëve theksuan se kanë arsye të tjera për përdorimin e alkoolit. Pjesa dërrmuese e të anketuarve, 57.6 % e tyre, mendojnë se rakia është akoma pija kryesore në familjet shqiptare. Ata preferojnë të konsumojnë pije alkoolike kur janë në shoqëri, kjo për 42.3 % të të intervistuarave. Ndërsa rreth 91.7 %, janë të ndërgjegjshëm për pasojat negative të konsumimit të alkoolit. Vendi ynë ka një konsumim të lartë të pijeve alkoolike për frymë. Specialistët e ISHP-së theksojnë se pijet alkoolike paraqesin një rrezik serioz për shëndetin e të rinjve, pasi mungon vëmendja e duhur për sigurinë e pijeve alkoolike.
Konsumimi
Megjithëse rakia zë vendin e parë si më e përdorshme në shtëpitë tona, specialistët shprehen se gjithmonë e më tepër po shkohet drejt pije alkoolike jotradicionale. Një ndër problemet më shqetësuese të specialistëve është se vitet e fundit, pijet alkoolike nuk kanë pasur vëmendjen e duhur në raport me cilësinë dhe sigurinë ushqimore. Specialistët e ISHP-së theksojnë se moskontrollimi i metanolit në raki ka sjellë një impakt të rëndë në shëndetin publik, deri në rast vdekjeje dhe intoksikimesh. Për këtë arsye, përdormi i pijeve alkoolike nga të rinjtë paraqet rrezikshmëri.

Përdorimi i alkoolit

Rreth 59 % të studentëve konsumojnë alkool
Studimi i ISHP-së përfshiu 400 studentë
Rreth 75.2 % e studentëve e përdorin për qejf alkoolin
Rreth 11.6 % e studentëve e përdorin kur mërziten
Rreth 10.6 % e studentëve kanë arsye të tjera për përdorimin e alkoolit
Rreth 57.6 % e tyre, mendojnë se rakia është akoma pija kryesore në familjet shqiptare

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare janë duhanpirës

Pas raporteve për alkoolin, duhanpirja është një ndër faktorët më negativ dhe në rritje, që po zë vend në shoqërinë tonë.
Duhanpirja në moshat shkollore po shënon një rritje gjithmonë e më të lartë. Sipas një studimi të kryer nga autoritetet shëndetësore, tashmë duhanpirës numërohen edhe në shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit. Specialistët kanë vërejtur shifra të frikshme pas anketimeve të shumta të bëra nëpër klasat nëntëvjeçare apo gjimnazet në Tiranë. Studimi ka pasur si për qëllim jo vetëm për të mësuar nxënësit që kanë nisur duhanin por edhe sa të ekspozuar janë fëmijët në ambientet e shtëpisë ku konsumohet duhan. Sipas studimit në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të kryeqytetit duhanpirja ka arritur në shifrat 16 për qind. Të gjithë këta të rinj janë duhanpirës, ndërsa rreth 16.8 për qind e tyre kanë ndërmend që ta fillojnë cigaren. Specialistët kanë shpjeguar se shtimi i fëmijëve që pinë duhan vjen si rezultat e rritjes në ambiente duhanpirëse, në familje apo në ambiente të konsumimit të duhanit. Nga të dhënat e studimit del se mbi 8 në 10 nxënës jetojnë në shtëpi ku të tjerët pinë duhan në praninë e tyre; mbi 9 në 10 janë të ekspozuar nga duhanpirja në vendet publike, ndërsa pothuajse gjysma e nxënësve kanë prindër duhanpirës. Ndërkohë, të rinjtë dhe adoleshentët mendojnë se duhani është më pak i dëmshëm se veset e tjera dhe se një paketë cigare nuk sjell ndonjë dëm të madh. Sipas statistikave në Europë, Shqipëria renditet në vendet e para për konsumim të duhanit. Studimet botërore kanë treguar se pjesa më e madhe e njerëzve në të gjithë botën e fillojnë duhanin para moshës 18 vjeç dhe afërsisht një e katërta e tyre fillojnë të pinë duhan para moshës 10 vjeç.

Duhanpirja në shifra

Në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e kryeqytetit rezulton se numri i duhanpirësve ka arritur në 16 për qind
16.8 për qind e nxënësve kanë ndërmend që ta fillojnë cigaren Specialistët
Mbi 8 në 10 nxënës jetojnë në shtëpi ku të tjerët pinë duhan në praninë e tyre
Mbi 9 në 10 janë të ekspozuar nga duhanpirja në vendet publike
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, duhanpirja në vendin tonë vlerësohet në masën 39%
Duhanpirja rezulton në 28.6 % në vendet e Bashkimit Europian
Duhanpirja është më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat, përkatësisht 60 %, kundrejt 18%
Në të gjithë botën e fillojnë duhanin para moshës 18 vjeç
Një e katërta e duhanpirësve në botë fillojnë të pinë duhan para moshës 10 vjeç

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›