“Duan të më largojnë nga Tirana”
Leonard Karaj
Ka një plan për largimin e Refik Halilit nga drejtimi i skuadrës së Tiranës. Pengim në menaxhimin normal të klubit, mospagim i të ardhurave që vijnë nga biletat dhe reklamat, mosvënie në dispozicion të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe mërzitje e pengesa pafund me qëllimin e vetëm që kryedonatori të thotë: mjaft dhe të largohet vetë nga drejtimi i klubit.Këtë gjë pohon në vetë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën “Panorama” presidenti-donator i kësaj skuadre, Refik Halili. “Nuk arrij të kuptoj sesi një bashki në vend që të ndihmojë klubin me të ardhurat që vijnë nga reklamat e biletat edhe këto të fundit i përvetëson duke u ndryshuar destinacion. Të gjitha këto para kalojnë në thesar dhe jo në arkën e klubit ashtu sikundër duhet normalisht të ishte. Dhe jo vetëm kaq. Tirana sot edhe pse de jure ka një stadium, de facto nuk e përdor dot. Madje nuk i jepet as në formë qiraje”, pohon i irrituar donatori bardheblu.
Prapaskenat
Sipas tij ka një plan për largimin e tij nga drejtimi i Tiranës i cili lidhet edhe me mosnjohjen nga ana e shefit të klubit të statutit të Tiranës, që në bazë të cilët në fakt janë zgjedhur në 2003-in si donatorë edhe “katriada” bardheblu. “Unë them se përderisa tani këta të fundit dalin me idenë se nuk e njohin atë statut do të thotë se na kanë mashtruar për kaq vjet. Në pak fjalë na kanë vjedhur. Ne jemi zgjedhur dhe kemi paguar para pa pushim në bazë të një statuti që sipas tyre nuk njihet. Unë jam i bindur që statuti ekziston por këta njerëz për interesa të ndryshme meskine bëjnë presion që unë si donator si sponsor të largohem nga drejtimi i Tiranës. Duket krejt paradoksale por me të tillë persona kemi të bëjmë. Plani është që të më largojmë mua dhe më pas të marrin klubin dhe ta çojnë ata drejt privatizimit”, vazhdon Halili.
Logoja
Problemet mes kryedonatorit dhe shefit të klubit kanë vazhduar edhe më tej teksa Dimraj nuk ka pranuar të mbajë përgjegjësi as për faturën e fazës përgatitore që Tirana zhvilloi në Maqedoni. Ndërsa debat të gjatë është bërë edhe për logon që futbollistët e Tiranës do të mbajnë në bluza këtë sezon. “Përsa i përket pjesëmarrjes në ankandin e logos kjo është një çështje që i takon shefit të klubit. Papuli apo ndonjë tjetër mund të marrë pjesë por jo si pjesë e klubit të Tiranës pasi si ai dhe Nuri janë vetë përjashtuar nga drejtimi i klubit. Ata mund të konkurojnë vetëm si biznesmenë nëse duan. Madje kam informacion që dy zarfet e tjera që kanë marrë pjesë në këtë ankand janë hapur dje në darkë në fshehtësi me qëllim që të shikohej dhe të korrigjohej shuma e vënë në këtë ofertë ankandi me qëllimin e vetëm që të anashkalohet oferta e bërë nga unë”, ka pohuar Halili.
Problemet ne drejtimin e Tiranës patën filluar që në sezonin 2007-2008 kur ekipi nuk arriti të fitojë asgjë madje as të dalë në Kupat e Evropës. Verën e kaluar pas një mbledhje të gjatë donatorët ranë dakord që klubi të drejtohej nga një donator i vetëm si president me rotacion. Por më pas Papuli dhe Nuri u tërhoqën. Sikur të mos mjaftonte kjo gjë edhe bashkia, pronarja de jure e klubit nuk ka marrë asnjë inistiativë për kthimin e SK Tirana në shoqëri aksionere duke jo vetëm mos dhënë por madje duke vjelë të ardhurat që grumbullohen gjatë sezonit.