E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Anita me sipërmarrje artizanale në Voskopojë, Rama: Ëndërr e kthyer në realitet vetëm falë vendimit për t’u kthyer në vendlindje


TIRANË, 11 mars/ATSH/ Kultura dhe artizanati në familjet voskopojare vijon të trashëgohet brez pas brezi.

I tillë është edhe rasti i Anita Zgurit, me origjinë vllahe, e cila është kthyer nga Greqia ku ka jetuar prej 15 vitesh dhe sot ka investuar në një biznes me punime artizanale, në të cilin janë të angazhuar shumë gra dhe vajza që punojnë qilimat, tezgjahun, veshjet e endura me grep e shtiza.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e Anitës, e cila falë biznesit që ngriti mban gjallë jo vetëm ekonominë familjare dhe të shumë grave të zonës, por dhe traditën e bukur shqiptare të punimeve me dorë.

“Kjo ishte dëshira e Anitës që prej fëmijërisë dhe sot është një ëndërr e kthyer në realitet vetëm falë vendimit të saj për t’u kthyer në vendlindje”, tha Rama.

Vetë Anita tregon se për 15 vite jetoi në Selanik. “Kam ikur në vitin 1991 pa ditur gjuhën. Greqishten nuk e dija fare, dija vetëm gjuhën vllahe që më kishte mësuar gjyshja. Me atë u merrja pak veshët me grekët, por unë gjithmonë në mendjen time e kisha se një ditë do kthehem në vendin tim dhe atë bëra”, tha ajo.

Pas largimit nga Greqia, Anita tregon se jetoi në Durrës ku hapi edhe një dyqan me veshje.

“Për shumë vite puna eci shumë mirë. Pastaj ishte dëshira për t’u kthyer në Voskopojë, për të bërë diçka për Voskopojën. E shikoja këtë ndërtesën që ishte e mbyllur dhe i thosha motrës po sikur ta marr unë të bëj diçka për Voskopojën. Doja të bëja artizanatin. Bëra kërkesë për këtë ndërtesë në bashkinë e Korçës dhe m’u aprovua. Ka ndryshuar shumë për mirë. Çdo gjë duket në rregull, ka marrë drejtimin e vet. Kush do të punojë, punon, sakrifikon. Pa punë nuk arrihet asnjë gjë. Dhe atje jashtë nuk besoj se e kanë kaq të lehtë, në vendin tonë është më e lehtë”, tha ajo. /m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›