RUSI – Të paktën tre të vrarë nga sulmet me dron të forcave ukrainase

MOSKË, 11 Mars /ATSH-DPA / – Të paktën tre persona janë vrarë nga sulmet masive ukrainase me dron në Moskë dhe zonën përreth, thanë sot autoritetet.
“Viktimat ishin punonjës të një kompanie në Domodedovo, rreth 30 kilometra në jug të kryeqytetit rus”, njoftoi në Telegram guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov.
“Sulmi me dron goditi parkingun e kompanisë pas orës 05:00 të mëngjesit ndërsa burrat ishin gati të fillonin turnin e tyre”, tha Vorobyov.
“Si rezultat i sulmeve në rajonin e Moskës, 14 persona kërkuan gjithashtu ndihmë mjekësore”, shtoi guvernatori.
Kremlini dënoi ashpër sulmet me dron.
Presidenti Vladimir Putin akuzoi Ukrainën për sulme të qëllimshme në objektiva civilë
Ukraina, e cila i ka rezistuar për më shumë se tre vjet ndaj një pushtimi te plotë rus, ka dëshmuar vdekjen e qytetarëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile pas sulmeve ruse.