MOSKË – Peskov: Sulmi ukrainas mund të rrezikojë bisedimet e paqes

MOSKË, 11 mars /ATSH-ANSA/- Sulmet masive ukrainase mbrëmë në rajonin e Moskës mund të rrezikojnë kontaktet me Ukrainën, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për “RIA Novosti”.
“Nuk ka ende negociata duke u zhvilluar… Por fakti që trendi në zhvillim mund të prishet ndjeshëm është i vërtetë”, tha Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes së agjencisë nëse Kremlini e konsideronte sulmin ukrainas një përpjekje të Kievit për të prishur bisedimet e paqes.
Sipas BBC, sulmet me dron nga forcat ukrainase shkaktuan vdekjen e tre burrave të moshës 38, 43 dhe 50 vjeç.
“Njëri ishte duke punuar si roje sigurie ndërsa dy të tjerët sapo kishin filluar turnin e tyre në qendrën e shpërndarjes bujqësore “Miratorg” kur objekti u godit sot nga një dron në orën 05:14″, sipas guvernatorit rajonal të Moskës, Andrei Vorobyov.
Kompania tha më vonë se 40 makina ishin dëmtuar në parking. Disa persona u plagosën gjithashtu kur një bllok banesash u godit në Vidnoye, në jug të unazës së Moskës dhe një bllok tjetër u dëmtua në qytetin Ramenskoye, më në lindje.
“Katër persona u vranë dje në mbrëmje kur një qendër tregtare u godit nga bombardimet në rajonin Kursk në kufi me Ukrainën”, sipas zyrtarëve rusë.
Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin tha se shtatë apartamente ishin dëmtuar në Ramenskoye duke shtuar se ishte “sulmi më masiv” me dron që kishte parë ndonjëherë rajoni i tij.
Ai tha gjithashtu se 12 persona – përfshirë tre fëmijë – u evakuuan pas sulmit të natës.
Pas sulmit, autoritetet pezulluan rrjetin e trenave të rajonit dhe kufizuan fluturimet në aeroportet e Moskës. //a.i/