E Diel, 1 Nëntor 2026

Anjeza Shahini:Ka pak koncerte, tani artistët presin vetëm fushatat

SHKRUAN: Ilda Lumani 21-07-2011 10:52

Një çmim është gjithmonë një vlerësim për një artist. “Best Interpret” në edicionin e fundit të festivalit “Top Fest” ishte një nga më të lakmuarit dhe artistja Anjeza Shahini është mëse e lumtur që ky trofe shkoi për të. Përsos kësaj, kënga “Ti dhe unë”, në bashkëpunim me “Zig Zag Orkestra”, mori një nga pritjet më të bukura në skenën e Pallatit të Kongreseve, duartrokitje dhe thirrje që çdo artist i dëshiron. Sot, këngëtarja e suksesshme vjen në këtë bisedë për gazetën “Mapo” duke folur jo vetëm për këto emocione, por edhe rrugëtimin profesional të një artisteje me integritet. Anjeza, bën pjesë në atë grupim artistësh të vërtetë që bëjnë muzikë ‘live’, që ka më pak klipe se shumë të tjerë, por që nuk do ta përziejë asnjëherë artin me biznesin… Ndoshta kjo s’është mënyra më fitimprurëse, por ama është e duhura. Të paktën për atë, që publikun e bëri për vete pikërisht falë interpretimit ‘live’. Interpretim dhe zë, që i dha asaj suksese të menjëhershme dhe të njëpasnjëshme. Në këtë sezon vere, Anjeza tregon se do të jetë me koncerte në bregdet, por shpreh dhe keqardhje që sot bëhen pak koncerte në sheshet e qyteteve, dhe madje shpreh se tribuna e artistëve mbeten fushatat elektorale!

Anjeza, këtë vit në Top Fest u vlerësuat me çmimin “Best Interpret”. Jeni e kënaqur me të, apo pretendonit edhe më tepër?

Unë së pari mora atë që pretendoja, përsa i përket pritjes që na është bërë. Madje mora më shumë sesa pretendoja në këtë drejtim. Pjesëmarrjen në “Top Fest” e mora si një mundësi për të publikuar diçka të re dhe diçka të këndshme, të kënaqesha në atë skenë, sepse e kisha parë gjithmonë si publik Top Fest-in. E kam ndjekur me një dëshirë që të isha dhe unë pjesë e asaj skene, ku dukej që më shumë ishte një spektakël i madh, përveçse një kompeticion i rëndësishëm muzikor. Kështu që mora mjaft në këtë drejtim. Shtoi kësaj edhe faktin që, që kur nisi rrugën ky festival kënga transmetohej vazhdimisht dhe përflitej në pjesën më të madhe të kohës mirë (çka na bënte të ndiheshim mirë për të) dhe përveç kësaj nata finale, pritja në sallë ka qenë e mrekullueshme. Gjë që na dha mjaft sadisfaksion. Dhe fundi pastaj ishte vërtetë një vlerësim, që sigurisht që do të doja ta kisha një vlerësim të mirë dhe “Best Interpret” ishte akoma më mirë, ishte një ndër çmimet më të rëndësishme të atij kompeticioni. Kështu që unë mbeta e kënaqur. Për pjesën e vendit të parë dihet që nuk besoj se ka nga ata që e shohin veten pretendent dhe nuk e duan vendin e parë, por nuk është se e kisha me një ambicie të madhe këtë vend. Dihet që një është çmim i parë dhe vetëm një e fiton.

Në fakt, Anjeza, para pjesëmarrjes në Top Fest ju patët disa probleme le të themi me grupin Zig Zag Orkestra… Ndikuan ato tek ju?

Problemet kanë qenë para se të niste transmetimin kënga dhe kanë qenë mes një anëtari të grupit dhe pjesës tjetër, për çështje administrimi. Thjesht nuk u paraqitëm të gjithë së bashku në daljen e parë dhe të dytë. Daljet e para i kemi bërë vetëm unë dhe Dreni, pa grupin. Pastaj në natën finale u vendos që të ishte dhe grupi.

Pra bashkimi i grupit u bë për të pasur një performancë sa më të bukur në finale?

Sigurisht, edhe kjo ishte një zgjidhje që ne i dhamë kështu. Edhe pse do të donim që qysh në fillim të ishim të gjithë së bashku. Pastaj u vendos që ta linim surprizën në fund për natën finale. Kjo edhe për faktin se Top Fest të ofron orkestrën ‘live’, ishte një mënyrë e mirë për ta prezantuar këngën të gjithë së bashku, pasi ajo këngë, nëse nuk luhet ‘live’, me të gjitha instrumentet, e humbet bukurinë e vet. Gjë që u realizua shumë mirë edhe nga orkestra e Top-it, që janë profesionist të vërtetë dhe i përgëzoj.

Sezoni i verës ka nisur ndërkaq me koncerte…

Po, ka filluar me koncerte, kryesisht me netët e ‘live’-it, ashtu siç ka qenë edhe gjatë dimrit. Do të synohet si gjithmonë bregdeti, por pse jo edhe vendet që kanë klimë të freskët. Do të jem ‘live’ me bandën me të cilën unë tashmë punoj prej disa kohësh. Është kjo punë që më jep më shumë kënaqësi, sesa ndoshta koncertet e thjeshta me 2-3 këngë.

Kjo do të thotë që nuk i preferoni më ato?

Jo, absolutisht. Madje mua më vjen keq që nuk janë më të shpeshta nëpër sheshe qytetesh si më parë. Tani artistët presin vetëm fushatat, që janë koncertet më të mëdha në vend dhe kjo është për të ardhur keq, por që gjithsesi edhe ato kanë bukurinë e vet e uroj që në të ardhmen të ketë edhe më shumë, e pse jo, të bëhen në versionin ‘live’.

Ju keni dalë nga një konkurs ‘live’ dhe vazhdoni të interpretoni në këtë mënyrë. Ju vjen keq që në pagesat e këngëtarëve nuk ka vlerë, nëse këndon ‘live’ ose ‘playback’, e ndonjëherë në rastin e fundit paguhen më shumë këta këngëtarë?

Unë mendoj se çdo kush investon për atë çfarë merr. Dhe jam e bindur që edhe ata artistë a pseudoartistë, siç quhen, kanë investuar në mënyrën e tyre për të marrë feedback-un e tyre. Unë kaq kam dhënë dhe mendoj që për vendin ku jemi dhe mundësitë që janë, nuk pres më shumë.

Kompromis do të bënit për të marrë diçka më tepër?

Kompromis…?! kompromisi i vetëm që mund të bëja unë në lidhje me këngët, që t’i afrohem pak më tepër atyre këngëve që dëshiron rinia, dhe ky është i vetmi kompromis që mund të bëja, sepse unë artin dhe muzikën nuk i shoh dot ndryshe. Është një biznes shumë i mirë nuk e diskutoj, por skenën unë e shoh si një vend që dua të bëj atë çfarë ndjej.

Videoklipet nuk janë arma juaj më e fortë. Mendon se ka ndikuar negativisht për kërkesat tuaja në treg?

Videoklipet nuk janë arma më e mirë e të gjithë atyreve që investojnë vetë për gjithçka!

Sa kushton realisht një klip?

Unë kam pasur fatin që edhe ato videoklipe që kam realizuar, i kam pasur bashkëpunime me shtëpinë diskografike me të cilën kam punuar e realizuar klipin dhe për këtë ju jam shumë mirënjohëse. Por, kur nuk ke një sponsorizim dhe të investosh vet është e vështirë. Për mua kjo është një humbje e madhe, pasi për atë çfarë jep nuk e merr asnjëherë përmes klipit. Është një biznes i humbur që në fillim. Akoma nuk kam arritur ta kuptoj sesi disa i realizojnë kaq thjesht klipet!

Kjo është arsyeja që zgjidhni më mirë skenat e festivaleve për të prezantuar këngët tuaja të reja? Pra ana financiare?

Unë nuk është se jam edhe shpesh në festivale, përkundrazi jam rrallë. Por kam gjetur një mundësi që njëherë të jem në një festival, njëherë nëpër spektakle, e videoklipe më pak. Pra pak e nga pak përpiqem të jem prezent. Por sigurisht ka pasur edhe një kohë pezull, le të them, për sa i përket prurjeve të mia të reja, në lidhje me klipin dhe jam duke menduar për diçka të tillë. Dëshira është për një këngë të re. Kam dy këngë të reja në duar dhe kështu pak e nga pak do të formohet edhe albumi. Edhe pse nuk jam shumë fanse e albumeve në Shqipëri, për vetë mënyrën e shpërndarjes së tyre, shkarkimit të tyre nga internet, mos mbrojtjes së të drejtave të autorit, apo edhe stili i muzikës që po shitet sot është pak i çuditshëm.

Anjeza, ju keni studiuar jashtë për muzikë, e keni menduar atëherë si një mundësi për të interpretuar jashtë Shqipërisë?

Kjo besoj është ëndrra e çdo artisti në Shqipëri. Ndonjëherë e quaj veten me shumë fat që jam një artiste e Shqipërisë, sepse në fund të fundit kam krijuar tashmë një pjesë të publikut që më mbështet gjithmonë dhe për këtë jam shumë e lumtur, por që sigurisht do të ishte një mrekulli nëse një ditë artistët shqiptarë do të kishin mundësi të bashkëpunonin me studio të huaja dhe produksione të huaja për t’u lançuar më tej. Por që sigurisht nuk vjen aq thjesht. Këtu ka shumë rëndësi menaxhimi dhe lidhjesh politikash kulturore. Ndoshta do të vij me futjen tonë në BE (qesh)!

Ka ardhur koha që në Shqipëri, artistët duhet të kenë menaxherin e tyre?

Ende jo. Kjo sepse përderisa punohet me shifra të vogla, mënyra sesi realizohen koncertet lë për të dëshiruar, atëherë edhe menaxheri do të ishte e tepërt në këto moment për artistët. Ajo që duhet është se artistët duhet të fitojnë njëherë së pari për vete. Edhe në botë është artisti që zgjedh menaxherin për të punuar për të, pra e punëson ai. Por këtu ende nuk është formuar kjo kulturë.

Sa me fat e ke konsideruar veten pas fitores së “Etheve” e më tej pjesëmarrjes së suksesshme në Eurovizion dhe a ka ecur karriera jote siç e kishit parashikuar në atë kohë?

Në “Ethet” kam qenë me fat, sepse kam qenë pjesëmarrëse tek edicioni i parë i tyre, ishte një risi për Shqipërinë dhe kjo ishte le të themi fati me shikueshmërinë që ajo kishte. Isha me fat edhe për personat me të cilët kam bashkëpunuar atëherë, sigurisht që e lidh shumë me fatin momentin e “Etheve”. Përsa i përket Eurosong-ut, unë kam marrë pjesë në fillimet e mia. Në vitin 2003, unë nisa të këndoj dhe një vit më pas shkova në Festivalin Europian. Këtë gjë unë e quaj shumë të mirë në lidhje me artistët e rinj sepse dihet që Festivali Europian është i rëndësishëm dhe për ne ka vlerë shumë më të madhe, pasi e kemi ëndërruar mjaft e është e vetmja skenë sot, në të cilën ne kemi mundësi të perfaqësojmë Shqipërinë dhe veten si artistë mbi të gjitha. Unë e quaj një hap shumë të mirë për të vazhduar karrierën në vendin që unë kisha nisur. Nuk pretendoja që duke shkuar në Eurosong, do të isha pjesë e skenave botërore më tej. Kjo nuk ka sesi të ndodhë! Kështu ndodh në gjithë botën, edhe në vendet e arritura, Gjermani e Angli, që janë shumë pro promovimit të artistëve të tyre të rinj, t’u japin një mundësi të mirë që të rritet imazhi i këtyre artistëve në vendin e tyre. Kjo gjë ndodhi dhe me mua, që me kthimin tim në Shqipëri të vazhdoja në rrugën e artistëve që tashmë kishin marrë prej vitesh atë status. Sigurisht që vazhdimi, për mendimin tim, ajo çfarë unë kam ngritur në vitet më pas ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta dhe ka qenë e lidhur me Eurosongun. Nuk mundet asnjëherë që t’i shpëtoj atij imazhi që është krijuar nga Eurosongu, e do mbetet për faktin se ishte edhe e para pjesëmarrje e Shqipërisë në të.

Familja juaj ka qenë një mbështetje e madhe në fillimet tuaja, sot i merrni më mendime për zgjedhjet muzikore dhe punët tuaja, apo vendosni vetë?

Unë pyes jo vetëm prindërit, por pyes shumë. Pyes të gjithë ata që unë i konsideroj të afërt dhe të mençur në llojin që unë i mendoj. Gjithmonë i pyes, për të marrë një vendim dhe gjithmonë i konsideroj mendimet e tyre.

Ke një person special që e pyet në këtë rast?

Person special? Janë miket më të mira. (qesh)

Përveç mikeve?

Nuk mendoj se personi special do të ishte mendimi më i duhur (qesh).

Por ekziston një i tillë…?

(Qesh). Nuk më pëlqen të flas për jetën private.

Jeni e lumtur?

Unë kam marrëdhënie jo të mirë me lumturinë, pasi më duket se gjithmonë kur bëhem shumë e lumtur kam hall se mos më del ndonjë gjë tjetër ditën tjetër, që të ma prishë (qesh).

Superticioze?!

Jam pak. Por jam gjithmonë në kërkim të lumturisë!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›