E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-presidentit kroat, Stipe Mesiç, prezanton librin e tij në Kosovë

Të pranishëm në promovim dhe ish-presidentët shqiptarë, Alferd Mosiu, Rexhep Meidani dhe Fatmir Sejdiu

Libri “Si është shkatërruar Jugosllavia” e ish-presidentit kroat Stjepan Mesiç, është promovuar dje në Prishtinë nga vetë autori. Ish-presidenti kroat në librin e tij “Si është shkatërruar Jugosllavia” merr përsipër të analizojë procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Siç u shpreh ish-presidenti Mesiç, libri është shkruar rreth 18 vjet më parë (1991-1992), por duket se parashikimet dhe konkluzionet e autorit i vërtetoi koha. Libri në fakt e pa dritën e botimit sapo kishte nisur shpërbërja e Jugosllavisë, kur tre republika shpallën pavarësinë dhe harta e rajonit u ndryshua përgjithmonë. E tashmë që libri u prezantua në Kosovë, Jugosllavia nuk ekziston më: Serbia është shtet i pavarur, Kosova po ashtu. Sepse në libër ish-presidenti Mesiç flet edhe për Kosovën dhe ngjarjet që janë zhvilluar përgjatë viteve. Kosova në librin e tij është çështja e fundit në procesin e shpërbërjes së plotë dhe përfundimtare të Jugosllavisë. “Duke qenë se pozita ime, atëherë më lejonte të isha afër këtyre problemeve, vendosa t’i analizoj secilën ngadalë. Edhe shteti në të cilin po jetoja, që atë kohë ishte veçse një krahinë, po merrte teposhtën dhe kjo ndodhte për shkak të influencave dhe gjërave që në atë kohë qeveria jugosllave i bënte e korruptuar tej mase dhe me një shpejtësi që askush nuk e vërente”, tha Mesiç, duke shtuar se “nëse e lexoni librin nga faqja e parë deri në fund, do shihni se Kosova e ka merituar të jetë ku është sot, ashtu siç e meritojnë të gjitha shtetet që sot janë të pavarura. Aty ku duhej të përfundonin janë edhe Sllobodan Millosheviç dhe vetë ish-Jugosllavia” – tha autori Stjepan Mesiç. Të pranishëm në promovimin e librit të ish-presidentit kroat ishin Adem Demaçi, ish presidentët e Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, ish- presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, dhe personalitete të ndryshme të skenës politike e kulturore. Alfred Moisiu u shpreh se librin e kishte studiuar qysh në vitin 2006 në Tiranë, dhe se autori Mesiç është një ndër miqtë e paktë të palëkundur kundër shkatërrimit jugosllav, e mbi të gjitha mik i pavarësisë kosovare, i cili qysh atëherë i dinte planet që kishte Sllobodan Millosheviç dhe miqtë e tij, për një gjenocid të rëndë. “Ky libër është një kontribut jo vetëm historik e shkencor, por padyshim tregon edhe fundin e një perandorie të madhe, e cila ka qenë një eksperiment i pas Luftës së Parë Botërore, por që brenda vetes pati viktima, si kosovarët e kroatët” - tha Moisiu, duke shtuar se autori ka ditur të evidentoj padrejtësitë, problemet dhe prapaskenat e jetës së atëhershme politike, kur gjithçka zihej nga pushteti jugosllav. Fatmir Sejdiu, ish-president i Republikës së Kosovës, tha se ky libër mund të quhet edhe referencë e të bëmave që përjetuan dikur të gjitha ish-shtetet jugosllave. “Ky libër është një dëshmi e gjallë, një analizë e saktë dhe një përkushtim shpirtëror për atë çka ka ndodhur në ish federatën jugosllave. Planet e tyre, vrasjet, krimet, përzierjet politike dhe dosjet e mbyllura i gjejmë të gjitha në librin e Mesiqit“, pohoi Sejdiu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›