E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankesa për orët shtesë dhe pagat e gardianëve

13/05/2010 Shqyrtohen nga Avokati i Popullit

Ankesat e gardianëve dhe një pjese të policisë së burgjeve mbërrijnë deri tek institucioni i Avokatit të Popullit. Ndërsa ky i fundit nëpërmjet komisionerëve merr përshtypjet dhe mendimet e tyre, duke ia bërë të njohura si problematika drejtorit të përgjithshëm Gazmend Dibra dhe drejtorit të policisë së burgjeve, Shpëtim Baçi. Ankesat e gardianëve janë bërë gjatë muajve të parë të këtij viti, ndërkohë që institucioni i Drejtorisë së Burgjeve ka kthyer një përgjigje duke e quajtur problemin të mbyllur. Sipas drejtorisë, pagesat e gardianeve kanë qenë të gjitha në rregull, ndërsa kanë pranuar se ka mangësi në mungesën e fondeve për orët shtesë, e cila sipas tyre shumë shpejt do të zgjidhet. Gardianët janë ankuar për mospagimin e orëve jashtë orarit zyrtar, ditëve të festave dhe shërbimet shtesë. Sipas ankesave të bëra nga gardianët, kjo kategori pagesash nuk është bërë që në vitin 2008. Por Avokati i Popullit shprehet se kjo gjendje nuk është e njëjtë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit. Një tjetër problem për të cilin është vënë në dijeni dhe ka kryer rekomandimet e veta Avokatit i Popullit është edhe mungesa e pagesës së policisë së burgjeve sipas gradave. Një gjendje e tillë rezulton të jetë që prej dy vjetësh që kur ka dalë ligji i gradave. Një tjetër problem është trajtimi i barabartë me pagë i drejtuesve të policive të IEVP –ve, në kushtet kur disa prej tyre ju duhet të përballojnë një volum pune 3 herë më të lartë, se sa kolegët e tyre në IEVP më të vogla dhe me veprime më të kufizuara ditore në aspektin e sigurisë. Avokati i Popullit i shkruan Drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve se të gjitha këto pretendime duhet të merren në konsideratë, të verifikohen dhe të bëhet trajtimi sa më shpejt i policisë së burgjeve sipas gradave dhe vendit të punës që mbajnë, madje të paguhen edhe orët shtesë. Për këtë qëllim propozohet ngritja e një grupi pune dhe nisja e një kontrolli ekonomiko-financiar të të gjitha IEVP-ve që kanë shtruar probleme të tilla. Ky grup pune duhet të ketë tagrin kryesor që të marrë takim me të gjithë efektivat punonjës të policisë dhe të presë ankesa prej tyre, të verifikojë pretendimet e tyre në regjistrat përkatës të pagesave dhe në rast se nuk konstatohen shkelje financiare, të ketë detyrimin të sqarojë me hollësi policët përkatës. Krahas kësaj mase, ky grup duhet të rishikojë edhe një herë trajtimin financiar sipas gradave dhe fondin fizik që lëvrohet aktualisht sipas kategorive të veçanta, duke nxjerrë parregullsitë e mundshme.

A. Çuka

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›