Sherri për tokën, ekzekutohen motër e vëlla
Xhevrie Stafa dhe Qemal Cepani janë vrarë me kallashnikov nga Gëzim Zeneli. Motivi, konflikti për tokën e dhënë nga shteti
KRUJË- Një konflikt pronësie i lindur që në vitin 1992 mbi tokat e ndara ka përfunduar me vrasjen e dy personave, vëlla e motër, të cilët janë ekzekutuar në një pritë nga personi që pretendonte pronësinë mbi tokën që ata kishin të marrë me dokumente të rregullta shtetërore.
50-vjecarja Xhevrie Stafa nga fshati Bushnesh i rrethit të Krujës është vrarë së bashku me vëllanë e saj, 41-vjeçarin Qemal Cepani në një pritë të organizuar nga 30- vjeçari Gëzim Zeneli.
Autori i vrasjes, banues në fshatin Vinjollë të Kurbinit, pasi ka realizuar vrasjen është larguar ne drejtim të paditur. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe krahas ekspertizës së bërë për dokumentimin e krimit të dyfishtë ka ngritur disa postblloqe për të kapur autorin e vrasjes.
Policia ka vënë edhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që do te sinjalizojë se ku ndodhet autori si dhe ka shpallur dy numra telefoni ku mund te denoncohet vrasësi i dyshuar.
Vrasja e dyfishtë ndodhi në orën 11:50 minuta në fshatin Dukagjin të Krujës, ku banonte Xhevrie Stafa, nëna e katër fëmijëve, e cila së bashku me vëllanë Qemal Çepani, i cili jetonte në Tiranë prej disa vitesh, kishin dalë nga shtëpia rreth 20 minuta para se te qëlloheshin dhe i ishin drejtuar arës për të korrur jonxhën. Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, në hyrje të arës u ka dalë përpara Gëzim Zeneli, i cili ishte i armatosur dhe ka debatuar me ta.
Sipas dëshmive të mbledhura nga policia,Gëzim Zeneli u ka kërkuar Xhevries dhe Qemalit që të mos hynin në tokën arë, pasi të parët e tij kanë pasur stanet dhe për pasojë edhe pse ligjërisht shteti ia kishte dhënë familjes Stafa, toka ishte e tij dhe nuk lejonte që t'ia merrnin të tjerët. Mbi konfliktin e tyre ka pasur dijeni edhe pushteti lokal dhe policia e Krujës.
Tre ditë para vrasjes, Gëzim Zeneli kishte shkuar dhe kishte marrë të gjithë jonxhën që kishte korrur familja Stafa dhe e kishte dërguar në shtëpinë tij në Vinjoll të Kurbinit. Për këtë Xhevrie Stafa kishte bërë edhe denoncimin përkatës në policinë e Krujës.
Dy ditë më parë, policia e Krujës kishte thërritur Gëzim Zenelin, duke e akuzuar atë për vjedhjen e jonxhës. Gëzim Zeneli, është indinjuar për denoncimin e bërë dhe ka përgatitur edhe vrasjen.
Ai, i armatosur me një automatik tip kallashnikov, mëngjesin e djeshëm ka udhëtuar nga Vinjolli në Dukagjin, në pritje të mbërritjes në tokën arë, të familjarëve të familjes Stafa.
Ai ishte pozicionuar në anë të një kanali të rrethuar me ferra, kanë saktësuar burimet nga policia e Krujës. Kur janë afruar vëlla e motër ai u ka dalë përpara dhe pasi kanë debatuar me ta i ka qëlluar me armën automatike që kishte më vete.
Gëzim Zeneli ka qëlluar me pesë plumba kallashnikovi 50- vjeçaren Xhevrie Stafa, duke e lënë në rrugë të vdekur në vend, ndërsa ka qëlluar edhe vëllanë e saj 41-vjeçarin Qemal Çepani, me tre plumba në trup. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, në drejtim të Krujës.
Banorët e Dukagjinit dhe kalimtarë të rastit janë përpjekur që të ndihmojnë Çepanin duke e nisur urgjent me makinën për në Spitalin Ushtarak, por ai, sipas policisë, kishte humbur shumë gjak dhe ka gjetur vdekjen në spital.