E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballsh, 350 të helmuar nga uji i pijshëm

Vazhdon dyndja e banorëve në spitale, autoritetet ende asnjë përgjigje për shkaqet e helmimit të qindra njerëzve

Banorët protestojnë për ujin e helmuar dhe për mungesën e rezultateve nga analizat mejkësore


BALLSH- Tmerri i të helmuarve nga uji i pijshëm në rrethin e Ballshit duket se nuk ka fund. Deri tani numri i personave të helmuar ka arritur në 350. Fluksi i të sëmurëve me probleme shëndetësore edhe dje në ditën e tretë ka qenë i lartë. Sipas informacioneve spitalore, deri dje në mesditë, erdhën për të marrë trajtim mjekësor 76 persona, të gjithë banorë të Ballshit.


Meqë kapaciteti i spitalit të Ballshit është i vogël, vetëm me 35 shtretër, stafi mjekësor po përballon me vështirësi dyndjen e personave të sëmurë.


Pamundësia për t"i trajtuar të sëmurët në kushte optimale e ka detyruar stafin mjekësor që të vendosë nga dy të sëmurë në një shtrat.


Akoma më i madh është numri i personave që marrin mjekime ne shtëpi pasi është e pamundur të qëndrojnë për një kohë të gjatë ne pavijonin e spitalit. Edhe personat që u paraqitën dje kanë shfaqur të njëjtat simptoma, bark, të vjella dhe dhimbje koke.


Megjithëse është premtuar prej tre ditësh se do të vinin përgjigjet e analizave, edhe dje ato nuk arritën dhe ende nuk ka një afat se kur do të bëhet publik shkaku për helmimin masiv të banorëve të Ballshit, ndërkohë që edhe policia është duke hetuar për këtë ngjarje, por ende nuk ka ndonjë përfundim të hetimit të saj


.Numri i të prekurve nga helmimi ka arritur në 350 ndërsa një pjesë e të helmuarve, pasi kanë parë që në spital bëhen vetëm serume, kanë vrapuar të bëjnë analiza te laboratorët privatë.


Rastet e para të helmimit në Ballsh janë shfaqur nga data 6 maj, por në tre ditët e fundit, fluksi ka qenë shumë më i lartë Autoritetet shëndetësore shprehen se dyshimi kryesor bie në ujësjellësin e qytetit, drejtuesit e të cilit thanë dje se është ndërprerë furnizimi me ujë i qytetit, por banorët shprehen se uji vazhdon të vijë në çezmat e tyre. Ai ka qëndruar disa orë i mbyllur dhe më pas është hapur. Ndërkohë, në pavijonin e këtij spitali ka ardhur edhe deputetja Emerilda Meksi.


Ajo ka debatuar me drejtoreshën e spitalit Luljeta Bregasi, dhe sipas kësaj të fundit, kjo situatë po politizohet. Ndërkohë prindër dhe familjarë të sëmurë nga helmimi dolën dje në protestë duke kërkuar një përgjigje për shëndetin e të sëmurëve.


Mungesa e përgjigjeve të analizave dhe helmimet që po vazhdojnë ka bërë që qindra banorë të dalin në protestë në bulevardin kryesor duke kërkuar ujë të pastër dhe përgjigjet e analizave të helmimit masiv, ende të pazbuluar nga mjekësia. Protesta ka vijuar në aksin kombëtar Fier-Tepelenë dhe më pas është drejtuar në bashkinë e qytetit, ku banorët kanë kërkuar që uji në Ballsh të jetë i sigurt.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›