E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankesat e energjisë tani edhe online, CEZ: Po zgjidhim ankesat e mëparshme

TIRANE - Qytetarët që kanë ankesa për energjinë elektrike mund ta dorëzojnë formularin edhe në mënyrë elektronike, pa qenë e nevojshme që të shkojnë pranë qendrave të kujdesit ndaj klientit. Drejtuesit e kompanisë “CEZ Shpërndarje” tregojnë mënyrën se si duhet të plotësohet online formulari i ankesës.

“Formulari i ankesës online është i njëjti me atë që ka qenë, thjesht mund të plotësohet në mënyrë elektronike. Gjithashtu konsumatori mund të ankohet dhe në numrat tanë të kontaktit që kemi pasqyruar dhe kemi vendosur në faqen tonë zyrtare. Afati ligjor i kthimit të përgjigjes është 30 ditë. Abonenti do të marrë përgjigjen e tij në vendin ku ai e kryen këtë ankesë. Nëse ankohet në qendrat e kujdesit ndaj klientit kthimin e përgjigjes do ta marrë në këto qendra. Nëse ai ankohet online, kthimin e përgjigjes do ta marrë online.”- deklaroi Eni Zaimi, Drejtoreshë e Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit.

Drejtuesit e “CEZ Shpërndarje” bëjnë të ditur se numri i ankesave ka pësuar rënie gjatë këtij viti, por kompania po punon për t’ju dhënë zgjidhje ankesave të mëparshme, kur CEZ administrohej nga çekët.

“Ajo që ne vazhdon të na shqetësojë, dhe për të cilat kemi marrë masa emergjente dhe urgjente për zgjidhjen e tyre, janë ankesat që vijnë për faturimet e bëra në periudhat e mëparshme, që përkojnë kryesisht me mbifaturimet, me gjobat. Rreth 4500 na kanë ardhur në total për periudhat e mëparshme që i kemi të depozituara të pazgjidhura, kemi të shqyrtuara rreth 1500, janë në shqyrtim dhe në përfundim edhe 700 të tjera të cilat do të ekzekutohen menjëherë brenda një periudhe të shkurtër.”- bëri të ditur Ilirjan Shkembi, Drejtor i Shitjeve në “CEZ Shpërndarje”.

Sipas të dhënave të “CEZ Shpërndarje”, gjatë këtij viti është shënuar edhe një ulje e nivelit të humbjeve dhe rritje e arkëtimeve, tregues që për muajin shkurt arriti në 70%.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›