E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Marrëveshja në Bruksel, personale e Thaçit

PRISHTINE– Përmes një deklarate dërguar mediave, Vetëvendosje thekson se marrëveshja e arritur dje në Bruksel është marrëveshje personale e Thaçit dhe ajo nuk duhet të bëhet edhe marrëveshje e Kosovës me Serbinë.

“Me këto 15 pika Prishtina dhe Beogradi zyrtar e ndajnë pushtetin dhe sovranitetin mbi Kosovën. Marrëdhënia ndërmjet shtetit të Kosovës dhe këtij Asociacioni serb që u formua nga Thaçi e Daçiq është e ngjashme me marrëdhënien ndërmjet shtetit të Bosnjës dhe Republika Srpska-s atje. Praktikisht, veriu i Mitrovicës po bëhet si Banja Lluka ndërkaq Graçanica si Pale. Me këtë Asociacion nuk po i bashkohet veriu i Kosovës komunave të Ahtisaarit në jug të Ibrit por anasjelltas. Shteti i Kosovës nuk do të mund të funksionojë kështu.”- nënvizon Vetëvendosje.

Sipas VV-së, kryeministri Thaçi nuk raportoi në Kuvend as për takimin e tetë dhe as pas takimin e nëntë në Bruksel.
“Këto dy takime ishin më të rëndësishmet pasi që aty u bënë koncesionet më të mëdha. Ndërkaq, pas takimit të dhjetë ai e bëri kompromisin e madh. Asnjë tekst asnjëherë nuk u publikua deri dje. Po ashtu, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në emër të Komisionit dhe me pajtimin e të gjithë anëtarëve të tij, me datë 11 shkurt 2013 e ka ftuar kryeministrin Thaçi që të vijë e të raportojë në KPJ. Sot e kësaj dite, në më shumë se dy muaj më vonë ai as që ka marrë përgjigje për këtë. Ky është dialogu më jotransparent në historinë e Kosovës.”- thekson Vetëvendosje.

Për Vetëvendosjen, dialogu politik i Thaçit i sakrifikoi edhe shqiptarët në veri të Ibrit edhe ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për hir të pushtetit të këtij në Prishtinë.

“Po ashtu, për më pak se një vit, Thaçi me këtë dialog ua ka mundësuar reahabilitimin politik, ndërkombëtar e historik kriminelëve Daçiq, Nikoliq e Vuçiq. Ky jo vetëm që nuk po i ndihmon shtetit të Kosovës e po e rrënon atë, por po i ndihmon shtetit të Serbisë dhe figurave më të errëta atje”- thuhet ndër tjera në deklaratën e VV.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›