E Diel, 1 Nëntor 2026

Pano Taçi, botohen poezitë e lëna dorëshkrim

TIRANE - Kur mbi varr me ngashërim/do më qash tek rri në gju,/ sytë e tu mbi varrin tim,/varri im në sytë e tu". Kjo poezi titullohet "Një mikeshe" dhe është një prej të fundmeve krijime të poetit të dashurisë Pano Taçi. I ndarë nga jeta pothuaj një vit më parë, ai la në dorëshkrim reshta që morën jetë prej penës së tij gjatë 2012-ës. Në total janë 111 poezi, që i dedikohen dashurisë, miqësisë, jetës dhe vdekjes -kësaj- edhe më shumë. Teksa endesh në fletët e vëllimit, jetën e përtejme e takon gjithnjë e më shpesh. Shumë herë, Pano e thërret atë, i kërkon ta nxitojë rrugës, që të vijë ta shpëtojë, nga vetmia, nga varfëria. Duket se pyet, ku ti gjej lekët për të blerë varrin?! Poeti bohem, njeriu hokatar, 'lezeti i muhabetit', i dënuari për "dashuri borgjeze", u shua në qershor të vitit që shkoi në një dhomë të spitalit Onkologjik. Atje kaloi muajin e fundit të jetës, në luftë me vdekjen, por pa ia pasur frikën. Do i ketë qeshur asaj me siguri, do e ketë tallur ashtu pa ia bërë syri tërr, ashtu siç dinte ta bënte vetëm ai. Pasionanti, "don zhuani", njeriu legjendë që e gjerbte kafen përditë tek "Europa" me Xhevahir Spahiun iku i vetmuar, ashtu si jetoi, e fundi i jetës tragjike qe një tragjedi. Merakliu i femrave iu ka kushtuar atyre poezi erotike pa fund, por asnjëra prej tyre nuk qe me të. Jeta e tij qe një rrugëtim nga një vuajtje në tjetrën, nga burgu në internim. Ai i mbijetoi komunizmit, ashtu si edhe akuzave, iu mbijetoi të gjithave, por luftën e fundit me vdekjen e humbi. Jeta e tij qe e lirshme, ka pasur femra të ndryshme partnere. Qe ndarë nga gruaja kur ra në burg pastaj ka pasur vetëm 'gjysmëmartesa', me vajza që ai i quante dashnore. Vepra titullohet "Muzgu vjen papritur" (Botimet M&B)e pos krijimeve të tij ka edhe kujtime, vlerësime e poezi për të. Ajo promovohet sot në orën 11:00, në sallën e Ministrisë së Kulturës.
Libri
Përveç poezive të tija, libri përmban edhe kujtimet e miqve.
Agron Tufa e titullon "Fjalë mbi varrin e poetit Pano Taçi"; Agim Shehu "Nderim në ikje poetit Pano Taçi"; Aleko Likaj "Këpuca e Pano Taçit"; Aleksandër Çipa "Pano Taçi, disident dhe bohem"; Edmond Tupja "Pano Taçi e meriton Parajsën!"; Fatmir Terziu "Mjeshtri i kompleksitetit të "mrekullueshëm poetik"; Miranda Haxhia "Për ç'hoqi e vuajti Pano Taçi". Më tej, një sërë miqsh kanë thurur për të poezi. Agim Shehu vjen me "Shtëpia e poetit të burgosur"; Kolec Traboini me "Sot është një ditë qershori e nxehtë"; Martin Cukalla me "Elegji për Pano Taçin". Poeti lindi në Gjirokastër më 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Tiranë. Ka botuar që në moshë të re në revistën "Bleta" me ndërmjetësinë e Lasgush Poradecit. Më 1944 inkuadrohet në brigadën 245 të UNÇl. Pas Luftës vazhdon shkollën, po më 1947 arrestohet dhe vuan afro çerek shekulli, burgime e internime nëpër burgje e kampe përqendrimi si kundërshtar i regjimit. Pas rrëzimit të diktaturës jetoi i vetmuar deri në fund të jetës së tij më 13 qershor 2012. Shkroi e botoi përmbledhje poetike, drama e kujtime. Është vlerësuar nga kritika si dhe ka marrë disa çmime letrare brenda dhe jashtë vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›