E Diel, 1 Nëntor 2026

Anketimi: 50 % e nxënësve shqiptarë detyrohen të ndjekin kurse private

Save the Children anketim në shkolla: Mësuesit u kërkojnë para nxënësve duke i kërcënuar me notë

teacher-and-kidsPothuajse gjysma e nxënësve shqiptarë detyrohen nga mësuesit të ndjekin kurse private, me arsyen e përmirësimit të njohurive të tyre në lëndë të caktuara (kryesisht ato ekzakte). Madje ka shumë raste kur mësuesit u kërkojnë edhe zarfe me para nxënësve duke i kërcënuar me nota jo kaluese. Të dhënat kanë dalë nga një raport i publikuar së fundmi nga organizata Save the Children, e cila ka ndërmarrë një anketim më disa qytete dhe shkolla 9-vjeçare si dhe të mesme në Shqipëri.
Anketimi
Anketimi për situatën e të drejtave të fëmijëve të Shqipërisë, është shtrirë në 12 shkolla dhe në tre qytete, dhe për periudhën prill maj 2013 ka nxjerr në pah tri problemet më shqetësuese për të rinjtë shqiptarë që janë: rreziqet nga përdorimi i internetit, pjesëmarrja në kurset e detyruara nga mësuesit si dhe përdorimi i lëndëve narkotike nga nxënësit e arsimit parauniversitar.
Interneti
Sipas këtij anketimi i cili mbështetet nga organizata Save the Children rezulton se 2/3 e fëmijëve të anketuar, kanë krijuar varësi nga interneti pasi prindërit nuk mund ti kontrollojnë në mjedise publike apo në shkolla. Ata kalojnë më shumë kohë në internet se sa në shkollë, duke rënë kësisoj pre edhe e faqeve të dëmshme të internetit siç mund të jenë edhe imazhet pornografike. Ndërsa një tjetër gjetje e anketimit ka të bëjë me zhvillimin e kurseve private në lëndë të ndryshme, ku rezulton se mbi gjysma e nxënësve të anketuar kanë deklaruar se ato zhvillohen nga disa mësues të lëndës në mënyrë të detyruar.
Detyrimi për kurse
Anketimi thekson se këta mësues ushtrojnë dhunë psikologjike ndaj fëmijëve në forma të tilla si: ulja e notës, përdorimi i epiteteve fyese, diferencimit nga nxënësit e tjerë dhe të bërtiturit me qëllim frikësimin. Një dukuri edhe më negative që del nga anketimi është se ka disa mësues që nuk zhvillojnë kurse private por, kërkojnë zarfin me para për notë më të mirë apo për të mos i ngelur disa nxënës, gjë që sjell deformimin e karakterit të fëmijëve, theksohet në raport.
Lëndët narkotike
Gjithashtu një tjetër çështje e rëndësishme në anketim ishte dhe përdorimi i lëndëve narkotike nga nxënësit. Fëmijët e sidomos djemtë, i përdorin këto lëndë kryesisht nga ndikimi i shoqërisë, ndjesia për tu dukur, kureshtja (në masën 85%), grindjet në familje, shpërfillja nga shoqëria. Pas anketimit dhe konkluzioneve të nxjerra, organizata Save the Children ka përgatitur dhe dërguar rekomandimet përkatëse për Ministrinë e Arsimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›