E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, mjekimi iu kushton shqiptarëve më shumë se rroga

Spitalet shqiptare më diskriminueset në Evropë, 60 % e faturave nga xhepi i pacientëve. BB: 17 % e familjeve shqiptare skanë lekë për spitale

sPITALETTë jesh pacient në Shqipëri je dyfish i dënuar, e para për sëmundjen që ke, e dyta për faturat e shtrenjta që duhet të paguash. Ky konstatim pohohet edhe nga një raport i fundit i Bankës Botërore e cila ka marrë në analizë sistemin shëndetësor të disa vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë.  Referuar këtij raporti vendi ynë renditet i 5-ti në Europë dhe në Azinë Qëndrore, për faturat e larta që familjet shqiptare detyrohen të paguajnë për të marrë shërbimin mjeksor.
Raporti
Banka Botërore vëren se sistemin shëndetësor shqiptar është një nga më të pabarabartët në Europë dhe Azi. Kjo pasi shqiptarët shpenzojnë në total rreth 750 milionë euro në vit për trajtim mjekësor. Por nga këto, vetëm 40 për qind paguhen nga Qeveria, ndërsa pjesën tjetër prej 60 për qind, e paguajnë vetë qytetarët nga xhepi i tyre. Kjo shifër e vendos Shqipërinë vendin e 5-të në Europë dhe Azinë Qendrore ku familjet paguajnë peshën më të madhe të kurimit nga buxhetet e tyre, pas Azerbajxhanit, Taxhikistanit, Gjeorgjisë dhe Armenisë. Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 17 për qind ose mbi 3 herë më e vogël.
Diskriminimi
Raporti i Bankës Botërore nuk duket se nxjerr në sipërfaqe thjesht shifra matematikore, por thellohet edhe në pasojat e kësaj shpërndarje të pa barabartë të shërbimit shëndetësor në popullatë. Banka Botërore argumenton se kur qytetarët detyrohen ta mbajnë vetë barrën më të lartë të shpenzimeve për mjekim, sistemi shëndetësor bëhet i pabarabartë dhe favorizon të pasurit, ndërkohë që kufizon aksesin e të varfërve në shërbimet shëndetësore bazë. Kjo, pasi ata që nuk kanë të ardhura nuk mund ta paguajnë shërbimin. Për të matur këtë pabarazi ekspertët e Bankës kanë përdorur një tregues, i quajtur indeksi i përqendrimit, i cili varion nga (-1) për vendet që kanë sistem shëndetësor pro të varfërve, në 1 për ato që favorizojnë të pasurit.
Renditja
Me një koeficient 0.2, Shqipëria rezulton vendi i 5-të me sistemin shëndetësor më të pabarabartë në Europë dhe Azi. Kjo do të thotë se një qytetar shqiptar me të ardhura të pakta e ka shumë më të vështirë për të marrë shërbim shendetësor, se sa qytetarët e vendeve të tjera në kontinent. Për më tepër raporti i Bankës Botërore thekson se për 17 për qind të familjeve shqiptare shpenzimet për mjekim janë tepër të larta, duke kaluar 10 për qind të të ardhurave të tyre.

750
milionë euro llogaritet në total fatura që paguajnë shqiptarët gjatë nj viti të tërë për shërbimin shëndetësor

60 %
të faturave në spitale i paguajnë vetë pacientët, dhe vetëm 40 % e kostos rezulton të paguhet nga vetë shteti

3
herë më e vogël se Shqipëria, është fatura (pesha) e kurimit që një familje në BE paguan për të marrë shërbimin shëndetësor

Ligji i ri për shërbimin shëndetësor
Përtej raportit të Bankës Botërore, duhet thënë se këtë vit Qeveria ka miratuar ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore, në bazë të të cilit aksesin për të marrë shërbim shëndetësor falas e kanë edhe të varfrit dhe të papunët. Këta të fundit mund të tërheqin një vërtetim nga zyrat e punës, dhe më pas të nxjerrin një librezë shëndetësore për të marrë shërbim shëndetësor falas. Megjithatë shërbimi shëndetësor pa pagesë është vetëm për urgjencën dhe jo për çdo nevojë shëndetësore që personat (të varfër apo të pasur) mund të kenë nevojë. Kohët e fundit por jo vetëm, ne kemi pasur rastin të dëgjojmë për fëmijë të vegjël 1 apo 2 vjeç të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, (tumore apo defekte në zemër), trajtimi i të cilave jo vetëm që kërkon një kosto të madhe prej miliona eurosh, por as nuk mund të kryhet në Shqipëri. Në të tilla raste pacienti mbetet në mëshirë të fatit. I tillë ishte rasti i Mejsit të vogël, 2 vjeçare nga Fieri, e cila vuante nga një tumor i rrallë në tru, dhe që fatmirësisht falë ndihmës së medias e cila për ditë të tëra bëri apeli për ndihmë financiare, familja e vogëlushes mundi të siguronte shumën prej 60 mijë eurosh, dhe të shpëtonte jetën e vogëlushes. Por sa e sa raste të tilla ka dhe do të ketë në të ardhmen. A duhet shteti të ndërhyjë dhe të rimbursojë kurimin e tyre apo jeta e njerëzve që skanë para duhet lënë në dorë të fatit?!

Kush përfiton nga ligji i ri
Ligji i ri për sigurimet shëndetësore, i miratuar në vitin 2011, hyri në fuqi më 25 mars të këtij viti. Ligji parashikon kthimin e ISKSH-së në Fondin e Sigurimeve si dhe ofrimin e shërbimit shëndetësor edhe në spitalet private. Këta të fundit do të kontraktohen për shërbime të caktuara, të cilat pacientët e siguruar do ti marrin kundrejt tarifave zero apo dhe tarifave më të reduktuara, të cilat konfirmohen nga ekspertët e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Shërbim shëndetësor falas do të marrin vetëm ata qytetarë që janë të pajisur me librezën shëndetësore. Përfitojnë edhe kategoritë në nevojë, për të cilat paguan shteti. Me ligjin e ri, përveç personave ekonomikisht aktivë që sigurohen, sigurimi i detyrueshëm shëndetësor mbulon gjithashtu kategoritë në nevojë, si pensionistët, invalidët, veteranët, personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, të papunët, gratë shtatzëna, shtetasit e huaj azilkërkues në Republikën e Shqipërisë, fëmijët nën moshën 18 vjeç; nxënësit e studentët nën moshën 25 vjeç, me kusht që të mos kenë të ardhura nga veprimtari ekonomike, si dhe kategori personash që përcaktohen me ligje të veçanta. Për të gjitha këto kategori si dhe për ato kategori që do të përcaktohen me ligje të veçanta, paguan shteti. Masa e kontributit mbetet e njëjtë, ndonëse ekspertët e shëndetësisë pohojnë se është ndër më të ulëtat në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›