E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankimimi, bizneset i shpëtojnë pagesës 60 % të gjobës

27/04/2010 Kushtetuesja shfuqizon një pjesë të dispozitës në Kodin Doganor

Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugën biznesit shqiptar t’i drejtohet gjyqësorit në rast pakënaqësish ndaj vendimeve të organeve doganore. Detyrimi që përcaktonte Kodi Rrugor në pikën 5 të nenit 289 të tij, sipas të cilit apeluesi duhet të paguajë pjesën e mbetur prej 60 për qind të gjobës që të fitojë të drejtën e ankimimit, është shfuqizuar nga kjo gjykatë. Kërkesa i është adresuar kësaj trupe nga gjykata e rrethit gjyqësor të Pogradecit pas një precedenti të krijuar me një çështje me protagonistë dy shtetas, të cilët më datën 14.12.2003 nëpërmjet pikës doganore të Tushemishtit kanë importuar nga Republika e Maqedonisë një sasi malli të padeklaruar në autoritetet doganore të kësaj pike. Dega e doganës së Pogradecit ka nxjerrë vendimin nr. 55, sipas të cilit shtetasit detyrohen të paguajnë si detyrim doganor edhe gjobën prej 385 480 lekë. Ata e kanë ankimuar këtë vendim fillimisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e cila rrëzoi ankimimin dhe më pas e ka adresuar në gjykatë. Pretendimi i degës së doganës së Pogradecit në gjykatë, sipas të cilit subjektet ankuese sipas Kodit nuk kanë të drejtë të ankimojnë vendimet pa paguar 60 % të gjobës (gjë të cilën shtetasit nuk e kishin bërë), çoi në pezullimin e çështjes nga gjykata e rrethit dhe shqyrtimin nga Kushtetuesja. “Gjykata arrin në përfundimin se organet doganore e kanë gjithë tagrin që të veprojnë me anë të ekzekutimit të detyruar kundrejt debitorëve të tyre, të cilët, edhe nëse ankohen, nuk kanë të drejtë të përfitojnë pezullimin e ekzekutimit kundrejt pasurisë së tyre si pasojë e ankimit administrativ ose gjyqësor. Pikërisht për këto arsye gjykata, ashtu si dhe në rastin e gjobave tatimore, vlerëson se objektivi i ligjshëm shtetëror për të rritur efektivitetin e vjeljes së detyrimeve doganore mund të realizohet pa cenuar të drejtën e individëve për t’iu drejtuar gjykatës”, - thuhet në vendim.

Kërkesa

Gjykata e rrethit gjyqësor të Pogradecit, në rolin e subjektit ankimues, kërkon shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën të pikës 5 të nenit 289 të Kodit Doganor, ku thuhet se “nëse ankesa nuk pranohet, apeluesi duhet të paguajë pjesën që mbetet prej 60 për qind të gjobës dhe mund të ankohet kundër vendimit të drejtorit të përgjithshëm pranë autoriteteve gjyqësore brenda 30 ditësh nga data e njoftimit të mospranimit të ankesës”.

Vendimi

Gjykata vlerëson se kushti i vendosur në nenin 289, pika 5 të Kodit Doganor për pagimin e gjobës për të pasur akses në gjykatë përbën një kufizim joproporcional dhe për pasojë një ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor. Për këtë arsye Kushtetuesja vendosi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të kësaj pike vetëm në pjesën ku thuhet: “...apeluesi duhet të paguajë pjesën e mbetur prej 60 për qind të gjobës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›