E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, ritme të ulëta për 3-mujorin

27/04/2010 Shifrat

Tregu i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti arriti një rritje vjetore prej 6.5 për qind. Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se fillimi i këtij viti ka nisur me ritme të vakëta për këtë treg dhe rritja e regjistruar është poshtë rritjes prej 10 për qind të vitit 2009. Ritmet më të mira të rritjes vazhdon t’i ketë aktiviteti i jetës, që për tremujorin e parë u rrit me 18 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa rritja e sektorit të sigurimit të jo-jetës nuk shkoi më shumë se 6.3 për qind. Por nëse shoqëritë e sigurimit arrijnë të ruajnë rritje në volume, numri i kontratave është në rënie. Krahasuar me një vit më parë numri i policave të sigurimit ra me 16 për qind, çka është një sinjal shqetësues. Zhvillim i rëndësishëm gjatë këtij fillim viti është rritja e masës së dëmeve të paguara nga shoqëritë e sigurimit. Totali i dëmeve të paguara për tre muajt e parë njohu një rritje vjetore me 41 për qind. Sidoqoftë, raporti dëme-prime ngelet në nivele të ulëta dhe në fund të marsit ishte në masën 22.5 për qind. Ndërkohë sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare gjatë vitit 2009 shoqëritë e sigurimeve paguan rreth 1.75 miliardë lekë dëme ose rreth 12 për qind më shumë se në vitin 2008. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimeve të detyrueshme motorike me 1.06 miliardë lekë apo 61 për qind të totalit. Pavarësisht rritjes në vlerë absolute të dëmeve të paguara bruto raporti i ulët dëme prime tregon se tregu ka ende shumë për të bërë në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj klientit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›