E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorca, një rrëfim për “Jermën”

27/04/2010 Premierë

“Fati” do ta printe me “Shtëpinë e Bernarda Albës”. Pikërisht me këtë shfaqje, regjisorja e re Alma Hoti, katër muaj më parë do të shpallej fituese e festivalit të regjisorëve të rinj. Sërish, si për të qenë edhe më e sigurt, ajo zgjedh të njëjtin autor, Federico Garsia Lorca, por një tjetër pjesë të tij, “Jerma” për ta ngjitur në skenë. Një bashkëpunim me ambasadën spanjolle në kuadër të javës së letërsisë spanjolle, “Jerma” është vënë për herë të parë në skenë dhe është shfaqur për publikun në sallën e Akademisë së Arteve më 24 dhe 25 prill. Një tjetër kryevepër e Lorcës, “Jerma” bën pjesë në trilogjinë e dramës së gruas, së përbërë nga “Shtëpia e Bernarda Albës”, kjo pjesë (“Jerma”) dhe “Dasmë Gjaku”.

Në të tri këto vepra, “qendra” është femra, dëshirat dhe ndjesitë e saj në të gjithë kuptimin e fjalës. Jerma, personazhi kryesor, vuan në mënyrë torturuese martesën me një burrë, të cilin ia kanë dhënë për hir të pasurisë. E gërshetuar me momente sa dramatike aq dhe komike, vepra është e veçantë në mënyrën se si server situatën dhe zbërthen psikologjikisht përmes situatave personazhin.

“Jerma” përjeton mungesën e tmerrshme të një fëmije, i cili nuk vjen kurrë, pasi burri i saj nuk bënte fëmijë. Një femër e bukur, e re, me ëndrra dhe dëshira për një jetë të gjallë, me dashuri e pasion, ajo lufton për të marrë çdo gjë që ka nevojë një grua nga burri i saj. Por në momentin që ai nuk reagon dhe është indiferent ajo gjen përkrahje dhe mbështetje në krahët e një burri tjetër. Pikërisht me këtë të fundit, ajo jeton “dashurinë magjike” dhe pasionante, e cila i jep edhe mundësinë për të pasur një fëmijë. Megjithatë, fëmija kurrë nuk vjen, pas keqtrajtimit që Jerma pëson nga burri i saj. Largimi i detyruar i Viktorit, lufta me Huanin dhe humbja e mundësisë për të pasur një fëmijë e çojnë Jermën në humbjen e logjikës, duke e bërë vrasëse të burrit të saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›