E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen te Cooperi

Qeveria e Kosovës përmes një shkrese, sot do të njoftojë edhe ndërmjetësin Robert Cooper për bllokadën që Serbia vazhdon ta aplikojë për mallrat kosovare. E, nëse Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj, atëherë ministrja Mimoza Kusari-Lila thotë se do të jetë çështje ditësh kthimi i masave të reciprocitetit. Nga Albulena Maloku më 19 shtator 2011 në ora 08:13

Nëse Serbia vazhdon të mos lejojë futjen e mallrave kosovare në tregun e saj, atëherë Qeveria e Kosovës brenda pak ditësh do t’iu kthehet masave të reciprocitetit me këtë shtet. Por, paraprakisht për bllokadën e krijuar nga Serbia, autoritetet kosovare kanë vendosur që sot t’i dërgojnë një shkresë edhe ndërmjetësit ndërkombëtar në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper.

Në këtë shkresë, Qeveria do të prezantojë të gjitha rastet e kthimit të mallrave nga doganierët serbë, për hartimin e të cilave ishin udhëzuar Doganat e Kosovës në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

E, nëse as ndërmjetësi nuk do të arrijë të ndikojë në ndryshimin e vendimit të autoriteteve serbe, atëherë autoritetet kosovare do të fillojnë aplikimin e masave të reciprocitetit.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila në një prononcim për Express, paralajmëron rikthimin e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë.

“Të hënën do të dorëzohet shkresa te ndërmjetësi ndërkombëtar dhe nëse në ndërkohë nuk ka ndryshim në vendimin e autoriteteve serbe, atëherë është çështje ditësh që pala kosovare do të fillojë aplikimin e reciprocitetit”, ka thënë Kusari-Lila.

Që nga e premtja, kur edhe filloi zbatimi i marrëveshjes për vulat doganore, Doganat e Kosovës kanë lejuar kamionët me produkte serbe të futen në tregun kosovar, gjë që shënoi edhe fundin e masave të reciprocitetit me këtë shtet. Por, një gjë të tillë nuk e bëri Serbia. Ky shtet që nga e premtja nuk ka lejuar që asnjë kamion me mallra nga Kosova të hyjë në tregun e saj. Kjo madje ishte konfirmuar edhe nga vetë ministrja Mimoza Kusari Lila.
Mësohet se mallrat nga Kosova nuk po lejohen të hyjnë në Serbi, për shkak të dokumenteve përcjellëse, në të cilat shkruan “Republika e Kosovës”.
Edhe pse ka pasur disa tentime të kamionëve nga Kosova, që të hyjnë në Serbi, ata janë ndaluar nga ana serbe me pretekstin se dokumentet që ata i përmbajnë, nuk janë të njohura nga pala serbe.

Masa e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë është vendosur më 20 korrik dhe është ndërprerë më 16 shtator. Në vendkalimin kufitar në Jarinje nuk kanë hyrë mallra as pas 16 shtatorit, për shkak të infrastrukturës së djegur nga serbët lokalë, ndërkohë që në Bërnjakë kamionët nuk kanë mundur të kalojnë për shkak të barrikadave që i kanë vënë serbët përreth, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së doganorëve dhe policëve kosovarë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›