E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohet Torresi

Edhe pse fitoi Ligën e Kampionëve me Chelsean, Fernando Torres ka shprehur pakënaqësinë për statusin e tij në skuadër. Spanjolli ka thënë se ka përjetuar zhgënjimin më të madh në karrierën e deritanishme, duke qenë rezervist në finalen kundër Bayern Munichut. Ai nuk mendon se po trajtohet mirë në Stamford Bridge dhe do të konsiderojë të ardhmen e tij gjatë verës.

Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres do fillojë bisedimet me klubin rreth të ardhmes së tij, pasi ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar këtë sezon. Ylli spanjoll pranoi se një nga zhgënjimet më të mëdha të tij në karrierë ishte qëndrimi në stol në ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut.

“Kam kaluar një nga momentet më të këqija në karrierë gjatë këtij sezoni. Nuk jam trajtuar në mënyrën si unë kam pritur”, tha Torres për mediat spanjolle.

Sulmuesi spanjoll kishte kaluar nga Liverpooli për 50 milionë funte në janar të 2011 dhe ka shënuar gjashtë gola këtë sezon në ligë dhe 11 në të gjitha garat.

“Është kontradiktore, pasi unë ndjehesha në momentet më të mira në karrierë, me dëshirë dhe më i uritur se një kohë të gjatë, por finalen e nisa nga banka rezervë. Ishte një zhgënjim i madh kur e pash formacionin, ndoshta zhgënjimi më i madh në karrierë. Mendova se do të luaja në këtë takim dhe nuk e kisha imagjinuar të kundërtën”, vazhdoi ai.

Ish futbollisti i Liverpoolit dhe i Atletico Madridit ka paralajmëruar se në fund të sezonit do të diskutojë me drejtuesit e klubit londinez për të ardhmen, pasi roli që kishte këtë edicion te Chelsea nuk i ka pëlqyer aspak.

Reprezentuesi spanjoll ka thënë se nuk po ndjehet rehat, pasi te Chelsea ka pritur se do të luajë e jo të rrijë në bankën rezervë.

“Unë kam kaluar një kohë të vështirë. Më të keqen në karrierë. Dhe nuk dua që kjo të përsëritet sërish”, tha në fund Torres.

Chelsea në fund të kësaj jave do të nisë bisedimet edhe me sulmuesin tjetër Didier Drogba, për të parë nëse ai dëshiron që të qëndrojë. Drogba është duke kërkuar kontratë dyvjeçare, por Chelsea e ka refuzuar atë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›