Baci: Luftëtari smund të gabonte me atë harmoni që kishte
Mbrojtësi shkodran, Alis Baci, nuk e përjashton mundësinë e aktivizimit edhe sezonin e ardhshëm me fanellën e ekipit gjirokastrit
Te Luftëtari, pas gjirokastritëve, rol të rëndësishëm kanë luajtur historikisht futbollistët shkodranë, të cilët, para vitit 1990, i dërgonin për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, kurse më pas i solli ekonomia e tregut.
Dyndje e madhe u bë në fillim të këtij shekulli, kur erdhi trajner Hysen Dedja dhe futbollistët Martini, Cungu, Lici dhe Noga, por edhe sezonin e fundit, kur zbarkuan po 5 shkodranë, veçse të gjithë lojtarë, që ishin Selimaj, Baci, Ramadani, Raboshta dhe Pjetrani, i fundit vetëm për fazën e parë.
Titullar në krahun e majtë të mbrojtjes ka qenë Alis Baci, për të cilin duhet të bëjmë një sqarim. Ai pohon se mbiemrin e ka Boci dhe kështu e njohin në Shkodër, por, në kartën e identitetit ia kanë shkruar Baci dhe kështu njihet zyrtarisht. Baci është i federuar edhe në UEFA, sepse ka luajtur me kombëtaren U-21.
Realisht shkodranët luajtën një rol të rëndësishëm për ngjitjen e Luftëtarit në Superligë, duke nisur që nga Selimi, i cili luajti plot 29 ndeshje, e deri te Raboshta, që realiazoi 13 gola. Mbrojtësi Baci thekson mes të tjerash për Sportin shqiptar se ekipi gjirokastrit ishte mjaft harmonik dhe nuk mund të gabonte në realizimin e objektivit: Te Luftëtari kaluam një kampionat, që vështirë ta harrojmë.
Harmonia që patëm me të dy stafet dhe futbollistët u bë një faktor, që ndihmoi shumë për suksesin e merituar. Kreun e merituam dhe e arritëm me luftë sportive pothuajse në të gjitha ndeshjet. E vërteta është se vetë kryebashkiaku Flamur Bime është interesuar për secilin nga ne dhe na njeh të gjithëve personalisht.
Ne shkodranët ndikuam për suksesin e Luftëtarit dhe u gëzuam po aq sa vetë gjirokastritët. Superliga pa dyshim që ka kërkesa më të forta. Nuk përjashtohet mundësia, që edhe sezonin e ri të rivesh fanellën e Luftëtarit, por, sido që të ndodhë, gjithmonë do të ndjej kënaqësi për ecurinë e tij pozitive, që besoj se të tillë do ta ketë.
4 gola
ka shënuar mbrojtësi Alis Baci gjatë kampionatit të fundit për fanellën e Luftëtarit
23 ndeshje
të plota është aktivizuar futbollisti shkodran. Ai nuk është aktivizuar në 3 ndeshje, kurse në 4 të tjera është zëvendësuar
