E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behrami synon Olimpiadën

Valon Behrami nuk po mendon për pushime. Pas përfundimit të një sezonit të lodhshëm, mesfushori kosovar synon të marrë pjesë edhe në Olimpiadën e Londrës.

Valon Behrami pati një sezon të shkëlqyeshëm në nivelin personal me Fiorentinën. Mesfushori kosovar e ndihmoi ekipin Viola që ta shmangte më të keqen – rënien nga Serie A. Pas përfundimit të sezonit, përfaqësuesi zviceran nuk e ka ndërmend të pushojë.

Ai dëshiron të jetë pjesë e evenimentit më të rëndësishëm të sportit në botë, Olimpiadën e Londrës. “Ekziston mundësia të shkoj në Olimpiadë. Sa më përket mua, do të ishte një mundësi e mirë e jetës”, deklaroi 27 vjeçari për televizionin RSI2.

Vajza e tij, Sofia po rritet. Asaj mund t’i pëlqejë të luajë futboll në të ardhmen, por babai Valon ka një këshillë për vogëlushen e saj. “Ajo zbavitet duke shikuar ndeshje në televizor. Më pas, ajo ka ardhur edhe në stadium, por shpresoj që të mos e bëjë një zgjedhje të tillë. Futbolli nuk është për femra”, tha Behrami duke buzëqeshur.

Futbollisti drenicas ka folur edhe për raportet që kishte krijuar me trajnerët gjatë karrierës. Më specialin e konsideron atë me Ficcadentin e Veronës, një person i cili i kishte dhënë shumë, por e përmendi edhe Zolan, për të cilin thotë se është një person i shkëlqyeshëm. Në fund, ai e përmendi raportin e veçantë edhe me trajnerin Mihajlovic, për të cilin thekson se ka karakter të njëjtë me të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›