E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankthi me zjarrin poshtë pallatit tim shumëkatësh

Këto foto nuk janë marrë në Bosnjë. As në Kosovë dhe as në Irak. Por  vetëm pak metra larg Pazarit të Ri, në Tirane. Ndoshta ka ardhur koha që serisë së këngëve "zhurmë, zhurmë, shumë, shumë zhurmë" dhe "Goodmorning Albania, pa drita e pa ujë", t'i shtojmë këngë  të reja, si "Flakë, flakë, shumë flakë".
Vetëm në dy javët e fundit kemi dëgjuar për disa raste të rënies së zjarrit në banesa, disa për fat të keq me pasoja tragjike. Por këtë radhë zjarri nuk është më diku në një lagje të Tiranes a në një fshat të Shqipërisë. Këtë radhë është poshtë pallatit tim. Dhe kjo është e frikshme. Jam në kat të tetë, dhe nga brenda dritares tek shikoj shtëpinë që po digjet dhe shtëllungat në qiell, ndjej nxehtësinë që vjen nga jashtë.
Duke parë pallatin shumëkatësh ku banoj, po mendoja se sa të pasigurt jemi. Këto pallate shumëkatëshe nuk kanë asnjë shkallë sigurie, në rast të rënies së zjarrit. Dhe jo vetëm kaq, kur nuk ka drita, nuk mund të marrësh as ashensorin për një zbritje urgjente.
Dhe ja, zjarri është pranë nesh tani. Ndoshta nuk do të këtë rrezik për ne, megjithatë vendos që duhet të marr fëmijët e të dalim. Nuk dua të vihen në rrezik. Veshim shpejt e shpejt ç'të mundim. Vajza e madhe katërvjeçare po fle në një cep të divanit. E marr ashtu siç është, me pizhama dhe çorape. Pa këpucë. Duhet të marrim pasaportat mendoj. Në shtëpi ka shumë sende të tjera me vlerë, po mendja ime shkon te pasaportat. Më mirë t'i kemi se nëse zjarri përhapet këtej, do të digjen dhe kush e di çfarë do të heqim për t'i nxjerrë prapë. Bashkëshorti im më kujton që po alarmohem kot dhe që nuk do të marrim asgjë me vete.
Poshtë të hyrja e pallatit ka disa komshinj. Mbase unë dukem komshia më e çuditshme. Dikush, kur shikon vajzën tonë të madhe, e cila nuk ndihet mirë, më kujton që duhet të kujdesem më shume që të mos sëmuret, se e dimë si është klima e Tiranës. Unë mendoj që kam vetëm disa muaj që jam kthyer pas shumë vitesh nga jashtë. Jo, nuk jam ambientuar. Dhe jo vetëm kaq, nuk më duket normale të rri e qetë e të bëj sehir një zjarr aq të madh përballë shtëpisë.
Drekuam afër shtëpisë, në një lokal të qetë e familjar ku klientela kryesore është e huaj. Ne ishim klientët e çuditshëm. Me rroba shtëpie, tutat sportive, dy fëmijë në krahë me pizhama e xhupa sipër, dhe një në karrocë mbështjellë në pallton e madhe të babit dhe pa këpucë. Për pak ndihem në siklet, sepse ata nuk e dinë se çfarë na solli aty. Po pastaj them që nuk ka rëndësi. Ne do pushojmë e kënaqemi si familje e do të kthehemi kur zjarri të jetë fikur.
Kur u kthyem në shtëpi, një nënë te hyrja e pallatit më thotë "U ktheve?". Më vjen zor t'i them se ishim te lokali aty afër shtëpisë.  "Ku i nxjerr këta fëmijë në këtë të ftohtë? Nuk është koha për vizita bijë!",- vazhdon ajo. Kurse unë mendoj që më paska marrë malli për këtë komunikim të ngrohtë që me mungoi atje në dhe të huaj, ku komshinjtë nuk i kapërcejnë kufijtë e një përshëndetjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›