Nesër në këto foto mund të jetë Vlora
Në fotot që po ju dërgoj për rubrikën U.R., jam përpjekur të bëj një krahasim. Bëhet fjalë për plazhin e Taean-it në Korenë e Jugut, një nga plazhet më të bukura të zonës. Më saktë, ishte një nga plazhet më të bukura, përpara se të ndodhte një aksident detar pranë atyre brigjeve. Bëhet fjalë për aksidentin e dhjetorit 2007, jo më larg se një muaj më parë, kur anija naftë-transportuese "Heberi" pësoi një aksident. Si pasojë nafta e derdhur në det shkatërroi 17 kilometra bregdet, nga më të bukurit e Azisë. Sigurisht që është një aksident. Dhe pikërisht sepse është i tillë, ai mund të ndodhë kudo dhe në çdo kohë, mjafton që të jesh një zonë ku do ketë transport nafte. Vlora do jetë së shpejti një e tillë? Atëherë, nesër në këto foto mund të jetë Vlora.
Koreja ka angazhuar 100 anije dhe mijëra vullnetarë për të pastruar bregdetin. Sigurisht, diçka mund të pastrohet, por plazhet tashmë janë të papërdorshme. E nëse na ndodh ne diçka e tillë?! Nuk kemi as anije, as vullnetarë, por edhe sikur të kishim, bregdetin e Vlorës nuk do ta kishim më. Ndoshta këto foto mund të ngacmojnë disi shkatërrimin tonë moral, gjumin tonë letargjik, që nuk po del me asgjë.
Në foton e parë lart, është plazhi i Taean-it siç ka qenë para aksidentit të anijes "Heberi". Në fotot e tjera, është i njëjti plazh pas aksidentit. Kush do më shumë informacion për Taean, mund të vizitojë këtë adresë http://www.taean.go.kr/english/beach.asp