Zelli për spastrime të kujtesës
Gëzim Qëndro e quan gabim të pafalshëm heqjen e mozaikut. "Ndërtesë të realizmit socialist muzeun nuk e bën mozaiku, por i gjithë konceptimi i ndërtesës. Atëhere ç'mund të bëjmë? Ta prishim krejt? Vështirë se ka ndonjë që e merr seriozisht parasysh këtë alternativë"
Pak kohë para, 27 janarit, "Ditës së kujtesës" ndërkombëtare, një muze kombëtar në Tiranë del me një tezë kundër kujtesës. Lexuesi u njoh dje me idenë e drejtorit Beqir Meta për të hequr mozaikun mural në lule të ballit të Muzeut Historik Kombëtar me motivin se nuk i përshatet "thelbit të identitetit, të shpirtit shqiptar" dhe "brendisë së muzeut". Pikërisht tani që atij përbindëshi i ngritur në qindra metra katrorë i është dhënë të gëlltisë miliona për restaurimin e zhguallit, ngrihen teza për thelbin e shpirtit shqiptar në fasadë të një muzeu kombëtar që në brendi është i mbushur me replika dhe bukë peshku si dëshmi të historisë së shqiptarëve.
Studiuesi i artit pamor, Gëzim Qëndro, merr pjesë në debatin që ka hapur zoti Beqir Meta. Duke shpresuar të kontribuojmë në forumin e ideve mbi bazë të të cilave drejtori në fjalë do të veprojë (!), ja dhe komentet e Qëndros i cili ka një përvojë deri diku të ngjashme të problemit që hap heqja ose jo e muzeut, problem i lidhur jo aq me aksionin konkret se sa me qëndrimin ndaj historisë, simboleve dhe trashëgimisë, qofshin këto të ngjyera në ideologji
Nuk është hera e parë që drejtues të ndryshëm të MHK i kanë ardhur rrotull heqjes se mozikut. Në fillim i hoqën yllin pesëcepësh si një ndjenje turpi a bezdije për atë kohë, por kësaj radhe duket se kërcënimi është real. A kemi të bëjmë me revanshe ndaj historisë zoti Qendro, nëse jo si do ta komentonit qëndrimin e mësipërm ndaj mozaikut mural?
Mendoj se nisma për të pastruar ballinën dhe pjesët e tjera të jashtme të Muzeut Historik është për t'u lavdëruar. Kjo pasi imazhi i një institucioni është i lidhur ngushtë me dinjitetin e tij. Por nëse muret e jashtme të Muzeut Kombëtar është mirë të pastrohen sa herë që arrijmë të gjejmë fonde, ky zell pastrues mendoj se nuk duhet të përfundojë në spastrime të cilat detyrimisht ngrenë disa pyetje me karakter artistik dhe etik. Le t'i marrim me radhë.
Në rrafshin artistik:
A ndryshon gjë nëse Muzeut Kombëtar i heqim mozaikun? A do të fitonte ai të drejtën e qytetarisë si një koncept arkitekturor tipik për një shoqëri demokratike pas një ndërhyrjeje të tillë? Përgjigjen po e jap duke marrë si shembull dy imazhe metaforike të Gjermanisë, njërit prej vendeve në pararojë të qytetërimit perëndimor, njëri, pavijoni i paraqitur në Ekspozitën Universale të Parisit në 1937 me autor arkitektin e parapëlqyer të Hitlerit, Albert Speer, dhe pavionit të RF Gjermane në Bruksel të vitit 1958. Edhe pa parë shqiponjën dhe kryqin e thyer ndjejmë se ndërtesa kolosale e pavijonit të ndërtuar nga nazistët në stilin neoklasik dhe e lartë 150 metra ka diçka kërcënuese, përjashtuese dhe agresive, ku gjejmë arrogancën e Racës së Epërme dhe dëshirën për të shtypur nga ana psikologjike këdo që i afrohet, çka nuk na çudit, pasi është imazhi metaforik i një Gjermanie që po armatosej me shpejtësi për të pushtuar popujt e Evropës e më pas të të gjithë botës.
Ndryshe nga vertikaliteti dhe pamja imponuese e ndërtesës së pavijonit nazist, Egon Eirmann-i, autor i pavionit të 1958-ës ka zgjedhur një imazh paqtues dhe aspak agresiv për të gjitha ato kombe që i kishin ende të freskëta plagët që u shkaktoi Gjermania naziste dhe i druheshin rimëkëmbjes së shpejtë të saj në vitet '50. Shtrirja e pavijonit është horizontale, ndërsa zgjedhja nga ana e autorit të materialit kryesor, xhamit, lidhet si me tejdukshmërinë, një element thelbësor i një shoqërie demokratike, ashtu edhe me brishtësinë dhe thyeshmërinë e tij, çka kontraston hapur me zgjedhjen e një materiali vështirësisht të shkatërrueshëm si beton-armeja, si në rastin e ndërtesës së Albert Speer-it. Edhe përmasat e pavionit të '58, përveç shtrirjes horizontale janë rreth dy herë më të vogla se sa ndërtesa imponuese e pavijonit nazist. Pyes, çfarë do të ndryshonte sikur RFGj të paraqitej në pavijonin e 1958 me të njëjtën ndërtesë, duke hequr vetëm shqiponjën dhe svastikën naziste. Kush do të mendonte se tashmë RFGj është një vend demokratik dhe pluralist? Vështirë se do ta besonte kush.
Pra, edhe në rastin e muzeut tonë kombëtar problem nuk është mozaiku. Duke hequr atë nuk ndryshon pothuajse asgjë. Kjo për arsye se arkitektët e kohës së socializmit, për të mos u ngrënë hakun, të mbikëqyrur edhe nga komisione fanatikësh syçelët, dinin shumë mirë të përkthenin në gjuhën pamore të arkitekturës ideologjinë komuniste, çka shpjegon edhe dështimet spektakolare të këtyre arkitektëve, disa prej tyre të talentuar. Ku lexohet ideologjizimi i kësaj ndërtese? Nëse e vëmë re me kujdes, muzeu ngjan me një bunker masiv betoni dhe mermeri, përshtypje që ta përforcojnë edhe dritaret të ngjashme me frëngji të gjata. Kjo përshtypje është në harmoni të plotë me imazhin që kërkonte të përcillte pushteti për "kalanë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut". Duket qartë që marrëdhënia e brendisë së ndërtesës me hapësirën jashtë saj synon të theksojë hermetizmin e saj, po ashtu një karateristikë e njohur e Shqipërisë së asaj kohe. Përveç kësaj, në të është "shkruar" koncepti historicist, një mendësi tipike për ideologjitëtotalitare si komunizmi; se historia lidhet me një memorje dhe me një projekt të paracaktuar, të shkruar në AND- e shoqërisë njerëzore, dhe komunistët shqiptarë ishin të zgjedhur nga historia për të udhëhequr shqiptarët në rrugëtimin drejt parajsës komuniste, ku do arrihej pa dyshim pas ndërrimit të njëpasnjëshëm të sistemeve shoqërore. Sipas kësaj logjike, shqiptarët deri para themelimit të partisë komuniste ishin udhëhequr nga prijësit e gabuar dhe kishin bërë zgjedhjet e gabuara. Këtë besim, që është baza e mesianizmit laik të komunizmit dhe e eskatologjisë së tij e gjejmë në organizimin grafik dhe hapësinor të mureve të muzeut. Duket qartë se pjesa e sipërme e ndërtesës, me ngjyrë të çelur dhe më e gjerë mbështetet mbi një brez muri të veshur me mermer të errët. Kjo ndarje pamorisht kërkon të përçojë idenë se historia e Shqipërisë komuniste mbështetet mbi një traditë historike e cila, sado e mbushur me përpjekje dhe luftëra, nuk mund të krahasohet me arritjet dhe fitoret e arritura nga populli shqiptar pas fitores së komunizmit. Nëse e vemë re me kujdes, hyrja në portën kryesore të muzeut duket se fillon pikërisht në nivelin ku fillon kati i dytë (i periudhës së socializmit) mbështetet mbi të parin duke na përcjellë bindshëm idenë e fillimit me këmbën e mbarë të historisë për shqiptarët. Të njëjtin funksion ndarës midis dy epokave luan edhe brezi zbukurimor me simbolet e parapëlqyera të komunizmit; ylli, kazma, pushka, libri, dafina etj.
Po ashtu totalitare dhe tipike janë edhe artikulimi i brendshëm i hapësirave të pavijoneve të cilat paraqesin vështirësi të riorganizohen duke humbur çdo lidhje me konceptimin e mëparshëm. Pra, ndërtesë të realizmit socialist muzeun nuk e bën mozaiku në ballinën e tij, por i gjithë konceptimi i ndërtesës. Atëhere ç'mund të bëjmë? Ta prishim krejt? Vështirë se ka ndonjë që e merr seriozisht parasysh këtë alternativë. Të zgjerojmë dritaret, të ndërrojmë ngjyrën e mermerit të pjesës së poshtme duke prishur përshtypjen e mbivendosjes së katit të dytë mbi të parin? Do të ishte një operacion plastik që do të ishte "politikisht korrekt" por do të ishte jo koherent për nga konceptimi artistik, çka është shenjë e pagabueshme amatorizmi. Pra në pamundësi për ta "përshtatur" me konceptet e kohës së sotme, nëse nuk mund ta zëvendësojmë krejtësisht si në rastin e pavijoneve gjermane ndërtesën totalitare me një ndërtesë me konceptim tipik për një shoqëri demokratike, atëherë le ta ruajmë si një relike e një sistemi të përmbysur pa i ndryshuar asgjë.
Para disa vitesh si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve ju krijuat sallat e kuqe dhe blu, me vepra të realizmit socialist. A vlen ajo përvojë, ato reagime që pati koncepti juaj për të diskutuar situatën në fjalë që me ç'duket i takon riciklimit të një debati të lënë përgjysmë, një debat i pakryer ndërmjet brezave, politikës, me historinë.
Mendoj se pyetja juaj lidhet me anën morale dhe etike të problemit që po shqyrtojmë. Nëse duhet shkatërruar mozaiku, atëhere mbi këtë filozofi duhen shkatërruar të gjitha tablotë dhe skulpturat që gjenden në fondin e Galerisë Kombëtare, të gjithë filmat e Kinostudios "Shqipëria e Re" e kështu me radhë. Para pak kohësh patëm një rast i cili më la shije të hidhur. Familja e trashëgimtarit të fronit, pas marrjes së pronës, ish- pallatit të Pionierëve, shkatërroi me një zell dhe mllef për të cilin mendonim se nuk ishin të aftë, një mozaik me fëmijë të së njëjtës periudhë, por më të vjetër se mozaiku i muzeut. Sigurisht që është e drejta e pronarit të mbajë apo të shkatërrojë një mozaik, por respektimi i tij do të dërgonte një mesazh qytetarie aq të nevojshëm për tranzicionin e gjatë dhe rraskapitës që po kalojmë. Nëse dëshira për të shkatërruar mozaikun e Muzeut do të tingëllonte i pranueshëm deri-diku në vitet e para menjëherë pas rrëzimit të regjimit komunist, sot mendoj se një qëndrim i tillë i skajshëm është i tejkaluar nga koha dhe nuk mund të shërbejë si bazë legjitimuese për operacione spastruese. Përveç kësaj më lejoni t'u kujtoj se përballë mozaikut, në ballinën tejet elegante të Bankës Kombëtare shohim disa relieve të mbijetuar nga fushatat e spastrimeve që ndërmerreshin rregullisht në kohën e komunizmit. Ato relieve të papranueshme për moralin puritan të komunistëve dhe që vështirë t'u kenë shpëtuar syve të tyre të kudogjendur për fatin tonë dhe të ndërtesës së Bankës u toleruan.
Sa për ekspozitën që përmendni ju "Surrealizmi Socialist" më kujtohet se u shoqërua me reagime të ashpra nga ekstremistët e të dyja krahëve. Për komunistët vendosja e veprave në konceptin ironik të surrealizmit socialist u perceptua si fyerje e "epokës së ndritur të socializmit shkencor", ndërsa vendosja e bustit të Komandantit në një raft të çfarëdoshëm si një blasfemi e papranueshme. Ekstremi i djathtë "me largpamësi" e pa si shenjën më të qartë të rivendosjes së neo-komunizmit në Shqipëri dhe bënte thirrje për vigjilencë përpara këtij rreziku të afërt. Pas gati dhjetë vitesh, të dyja këto reagime tingëllojnë të tepruara dhe gati komike, ndërsa ajo ekspozitë mendoj se mbetet përpjekja e parë për të riparaqitur në një kontekst të ri një periudhë traumatike si ajo e periudhës 1944-'90. Përveç kësaj mendoj se një trashëgimi kulturore duhet ruajtur duke mos harruar brezat që do të vijnë. Përfytyroni pesëdhjetë vjet më vonë një grup studentësh të arkitekturës të cilët studiojnë historinë e arkitekturës së kryeqytetit dhe dëgjojnë ndër të tjera nga pedagogu i tyre se aty dikur ka patur një mozaik i cili u shkatërrua sepse i përkiste periudhës së komunizmit. Ka shumë të ngjarë që ata të bëjnë pyetjen e pafajshme: po përse e prishën? Arsyeja se i përkiste një sistemi të egër totalitar të përmbyshur nuk besoj se do t'i bindë.
Ekziston dhe një "tip i ri" qytetari shqiptar që thotë se ai mozaik nuk na përfaqëson. Ç'përgjigje do t'i jepnit atij?
Mendoj se problemi shtrohet gabim. Ai mozaik nuk është aty për të përfaqësuar qytetarët e Tiranës apo të Shqipërisë. Ai është aty si dëshmi e një mendësie dhe një epoke historike, e një regjimi që pa dyshim provoi të ishte një fatkeqësi e vërtetë kombëtare, pasojat e të cilit do t'i ndjejmë edhe për shumë kohë, por me trashëgiminë e të cilit nuk mund të sillemi siç u sollën ata me trashëgiminë e regjimeve që u paraprinë. Atëherë do të tregonim se jemi pasardhës të denjë të mendësisë së tyre, të fanatizmit dhe intolerancës së tyre. Nuk e kemi luksin të fshijmë nga kujtesa jonë kolektive pamore çfarëdo dëshmie të së kaluarës. Ky qëndrim do të ishte mendoj ana tjetër e medaljes së totalitarizmit, e revanshizmit të fitimtarit, e idesë se shkrimi i historisë është e drejtë vetëm e tij. Marrja e një pozicioni të tillë është vërtet trishtues pasi tregon se nuk kemi kuptuar asgjë nga gabimet e shkuara dhe nuk kemi mësuar asgjë nga e tashmja.
Diçitura
Imazhi 1: Albert Speer Pavioni gjerman Ekspozita universale Paris 1937.
Imazhi 2: Egon Eiermann, Pavioni i RFGJ Ekspozita Universale e Brukselit 1958