Njëmbëdhjetë Judat dhe një poet
Rreth vëllimit "100 poezi" të Maks Velos. Te premten prezantohet ne Qendren Nderkombetare tw Kultures
"100 poezi" titullohet libri me poezi i Maks Velos, i cili sapo ka dalë nga shtypi, një shifër e zgjedhur krejt rastësisht prej tij, thjesht për t'i dhënë një mbyllje simbolike një kapitulli, një vargu poezish të shkruara gradualisht për disa vjet. Dhe ne na vijnë ndërmend "Njëqind vjet vetmi" i Markezit, apo "Njëzet këngë dashurie dhe një këngë trishtimi" i Nerudës, dhe e parë nga ky këndvështrim, loja me shifrat nuk është as krejt e rastësishme, dhe as krejt simbolike; ajo nënkupton një dimension shterrues, ezaurues të një epoke të caktuar, të një teme të caktuar, apo edhe të mbarë historisë së njerëzimit (siç ndodh në romanin e Markezit, fjala vjen). Duket, se përtej kuotës "100" nuk mbetet më asgjë për të thënë. Por, le të kthehemi tek përmbledhja e Maks Velos e ta shikojmë më hollësisht.
Tek ky libër gjejmë një lloj kronologjie, në të cilën, në mënyrë të përshkallëzuar, ezaurohen gjithë dilemat mbi kuptimin e jetës, të para nga këndvështrimi i një njeriu i cili tashmë ka gjithë të drejtën, lëndën, dhe besueshmërinë për ta bërë këtë; ai i ka provuar pothuajse të gjitha: që nga sharmi i jetës së Parisit e deri tek burgjet e Spaçit. Befasia e këtij libri është pikërisht shfaqja e tij si poet, të cilin ai e argumenton si një "kohë kur kalon mbi një urë" e cila lidh të gjithat përvojat e tij të mëparshme: pikturën, arkitekturën dhe prozën. Befasia e dytë është fakti, që ky libër, në një pjesë të mirë të poezive, dëshmon një poet të vërtetë, dikë që ka kohë që bashkëjeton me poezinë. Dhe të bashkëjetosh me poezinë, nuk do të thotë të ngujohesh para makinës së shkrimit e as të ecësh me laps e letër në xhep duke pritur për një natë të përkryer me yje apo për të pazakonshmen - një eklips. Të jetosh me poezinë, për mendimin tim, do të thotë të përjetosh poetikisht çdo çast të jetës; të përpiqesh të kuptosh filozofinë e ngjarjeve, mesazhin që të është dhënë, pavarësisht nëse ky mesazh përkon me kënaqësitë e tua njerëzore apo jo, për të arritur pastaj në atë që Viktor Frankli (njëri nga psikologët më të shquar të shekullit të njëzet) thotë: "Jeta e gjithkujt është e plotë nëse ai i ka provuar të gjitha; të qenit vetëm i lumtur, apo vetëm i përvuajtur, prodhon cikle të paplotësuara njerëzore, jetë të pangopura", ose siç shprehet poetikisht Maks Velo në njërën nga poezitë e tij: "Prandaj jetën e pëlqej/ sepse të gjitha i kam përjetuar/ Të gjitha i kam futur/ në kutinë ku mblidhja kujtimet e vegjëlisë/ bashkë me detkat, pullat/ fugat ashikët dhe ca artiste që qeshin./ Kur të vijë çasti/ kapakun do ta mbyll/ me qetësi".
Dy janë problemet që rregullojnë raportin e poetit me lexuesin (të cilit ai i mbetet gjithmonë borxhli): e para, ajo që thamë më sipër - kapja qartë e mesazhit që të jepet, dhe e dyta - përcjellja qartë e këtij mesazhi. Kur flas për "qartësi", nuk e kam fjalën për "thjeshtësi", për "vobektësi" të mjeteve shprehëse; me qartësi nënkuptohet lënia hapur e një shtegu komunikues me lexuesin, një cilësi kjo që e bën këtë të fundit pjesëmarrës në dialog por edhe dëshmitar të asaj që ndodh në "ngjarjen poetike". Në kontekst me librin për të cilin po flasim, duket se Maks Velo ka intuitën për ta kuptuar këtë formulë. Dhe ka disa mënyra për të shmangur subjektivizmin e mbyllur, hermetizmin tek një poet. Ai ka zgjedhur të folurit nëpërmjet imazhit, të cilin ai e zotëron mirë falë edhe eksperiencës së tij si piktor, duke ia lënë vendin asaj që Odisea Elitis e përcakton si qartësi e gjërave iracionale: "Unë nuk jam për qartësinë e inteligjencës, atë të cilën francezët e quajnë La belle clartè. Jo, unë mendoj se edhe gjërat më iracionale mund të jenë të qarta". Marrim si shembull poezinë "Hoteli më i lirë": "Pardesyja lagur, varur/ në hekurin e shtrembër të perdes/ ka zënë dritaren e vetme./ Nuk shoh dot jashtë çatisë/ Hotelin me shkallë druri/ të ngushta spirale që kërcasin/ e paguaj nga mbetja/ e faturave të jetës." Në këtë poezi kemi një varg imazhesh, objektesh, ku të gjitha bashkë krijojnë një atmosferë solide, një mikro-klimë të asaj që ka si qëllim ai të tregojë.
Libri nuk është konceptuar në kapituj apo cikle, ndonëse "Parisi" përbën një cikël skicash më vete. Ai është "atdheu estetik" i autorit, dhe jo vetëm kaq nëse e shohim në kontekst me të kaluarën tjetër të tij - privimin e lirisë deri në burgim politik gjatë viteve të diktaturës komuniste. Vjen një moment që ky "qytet ideal" nuk ka më rrezëllimin e një kartoline krishtlindjesh; autori e sheh atë si copëra metaforash të trishtuara, të cilat përbëjnë frymën individuale, rikonceptimin e historisë së tij personale në ballafaqim me këtë realitet ideal. Kulla Ejfel, tashmë shikohet si një "shiringë droge" në trupin e shekullit të ri dhe tek "Sena flokëshkulur" fjala vjen, thuhet: "Lumi flokëshkulur/ vajton një jetë./ Një trup zhduket/ fundoset/ duket prapë/ si një mendim i vjetër./ Sena e lodhur e nxjerr në breg." Nuk ka më vend për shumë iluzione, por, nuk ka as shumë rezistencë. E tillë është poezia, një marrëveshje pa kusht, ashtu siç e përcakton edhe Emili Dikinson: "Një letër drejtuar botës/ që kurrë nuk m'u përgjigj". Dhe për ta thelluar më tej këtë aspekt, mund të thuhet se mesazhi më i mirë që percjell ky libër ose e para gjë për të cilën ia vlen të lexohet, është ajo gjendje që në mënyrë figurative mund të quhet si një lloj transhendence, një pastrim dhe qetësim shpirtëror që njerëzit e arrijnë në një fazë kur pakënaqësitë dhe mllefet ndaj kësaj bote nuk përbëjnë më një motiv. Autori e shikon veten në një stad më largpamës, më fisnik, më tolerant ndaj botës. Ndaj edhe poezitë më të mira e më të thella të këtij libri janë pikërisht ato që ndjekin një lloj intonacioni dhe qetësie filozofike. Thuhet se filozofët janë armiqtë e natyrshëm të poetëve, kur, në të vërtetë sipas meje ndryshimi midis filozofisë dhe poezisë është ndryshimi midis faturës së zakonshme që kamarieri ta ve përpara sapo ulesh dhe asaj që lihet me takt në qoshe të tavolinës, e futur brenda diçkaje me kapakë të trashë mundësisht lëkure: e para të rri gjithë kohën si ndëshkim para syve dhe e dyta ndonëse e njëjta, është më misterioze, më intriguese dhe më pak imponuese. Pra, konkluzionet e filozofisë dhe artit, janë pothuajse të njëjtat, por, poezia i vesh me solemnitet dhe magji këto konkluzione. Dhe një pjesë të mirë kësaj magjie ia jep përvoja individuale, ajo çka është e papërsëritshme nga njëri individ tek tjetri. Madje një poezi e Maks Velos në libër e argumenton bukur këtë: "Muzikë false/ sentiment i vjetër/ luan të tjerët/ por dhimbjen / e ka të veten".
Por, nuk duhet ngatërruar magjia me idealizimin e realitetit. Xhon Eshbëri e cilëson poezinë si një "gjest imoraliteti dhe lirie" në kuptimin e zhveshjes nga çdo lloj përgjegjësie morale dhe klisheje. Ndaj në artin modern gjejmë gjithnjë e më pak heronj dhe situata ideale; në kohën tonë gjithçka është e diskutueshme. Tek Maks Velo, psh, gjejmë anti-mitin biblik ("Njëmbëdhjetë Judë): "Krishti pati/ dymbëdhjetë dishepuj/ njëmbëdhjetë apostuj/ dhe një Judë Iskariot/ që më vonë vari veten në një thanë/ Mjerë ai Mesi i ri/ që do të ketë dymbëdhjetë nxënës/ nga të cilët do të dalin/ njëmbëdhjetë judë/ dhe një dishepull besnik" Kjo poezi, mund të lexohet në disa mënyra. Poeti nuk ia drejton gishtin askujt, nuk akuzon askënd; ai bëhet pjesë e vetëdijes kolektive, e krizës së tij të besimit dhe vetëm si një kundërvënie ndaj mitit kjo poezi mund të kishte forcën për të kuptuar realitetin në raport me idealen. Demitizimi në poezinë e sotme, është thjesht një hap drejt realizmit dhe atë e gjejmë dendur sidomos në poezinë metafizike anglosaksone. Pak a shumë, të kësaj fryme janë edhe poezi të tjera si: "Greqia" apo "Drita e Pashkës".
Dhe për ta mbyllur këtë recension të shkurtër, mund të them se ndonëse Maks Velo pretendon se e ka ezauruar fjalën brenda 100 poezive të këtij libri, koha do të vërtetojë të kundërtën: ai sapo e ka zbuluar atë!