E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anna Chapman, vajza bukuroshe që akuzohet për spiunazh

SHBA

Lufta e Ftohtë ka marrë fund, por “Bond girls” nuk dalin kurrë jashtë mode. Dje, gazetat e botës janë përqendruar në një nga personazhet më enigmatikë të “lojës” së fundit me spiunazh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është rusja Anna Chapman, një bukuroshe e re e personave të dyshuar për spiunazh, që u vunë dy ditë më parë në pranga. Disa gazeta e kanë përshkruar si “rusja kokëkuqe, 28-vjeçare, e divorcuar, me master në ekonomi dhe e punësuar në një biznes shitje-blerje online”. Sipas përshkrimeve, ajo është e zgjuar dhe me një trup prej modeleje. Historia bëhet shumë tërheqëse dhe intriguese kur sipas akuzave, ajo së bashku me 9 persona të tjerë akuzohen për veprimtari të maskuar spiunazhi në Shtetet e Bashkuara. Ky grup thuhet se ka që në fillim të viteve ‘90 që dërgon informacione në Moskë dhe roli i Anna “flokëkuqes” ka qenë ai i transmetimit të informacionit të koduar në një rrjet privat që nga muaji janar. Ndërkohë, vetë Chapman ka hedhur poshtë çdo akuzë, duke deklaruar se merret vetëm me biznesin e saj. Po kush është Anna? A mos vallë kemi të bëjmë me një femër fatale të ngjashme me spiunet e filmave të James Bond, apo me një biznesmene që punon shumë dhe që është e papërzierë në aferat për të cilat e akuzojnë? Sipas profilit në internet, ajo ka kryer universitetin në Rusi dhe më pas ka kaluar disa vjet në Londër, ku edhe ka marrë masterin për ekonomi dhe në këtë periudhë nisi që të merrej me shitje pasurish të patundshme. Para se të hapte biznesin në SHBA, ka punuar edhe në disa fonde private investimesh në Londër dhe më pas është rikthyer në Moskë për t’u marrë me themelimin e biznesit që e ngriti në Amerikë. Dhe sipas akuzave, pikërisht në këtë periudhë ajo ka ndërruar disa pasaporta dhe është marrë me spiunazh. Po cili është identiteti dhe veprimtaria e vërtetë e Anna-s? Përgjigjet e para për këtë do të dalin në seancën e parë gjyqësore që do të zhvillohet më 27 korrik.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›