E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Të rishikohet buxheti, fillimi i 2010-s, i ngadaltë

Banka Guvernatori lë të pandryshuar normën bazë të interesit, në 5.5%

Banka e Shqipërisë konfirmon ritmin e ngadaltë të zhvillimit ekonomik të vendit për pjesën e parë të vitit. Në konferencën mujore për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori Ardian Fullani pranoi se ekonomia nuk ka pasur atë stad zhvillimi të dëshiruar, si dhe ka theksuar nevojën për rishikimin e buxhetit 2010, brenda parametrave realistë.

Guvernatori njoftoi vendimin për të mos ndryshuar normën bazë të interesit në lek, duke e mbajtur në 5.5 për qind, si dhe konfirmoi vendimin për ndryshimin e kursit operacional për zbatimin e politikës monetare ndaj bankave.

Guvernatori kërkon nga qeveria më shumë kujdes në nivelin e borxhit. “Duke ndjekur me vëmendje ecurinë aktuale dhe të pritshme ekonomike, si dhe duke vlerësuar me shqetësim implikimet e saj për treguesit fiskalë, Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale duhet të bëjë kujdes për kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik”. Sipas tij, ulja e presionit në tregjet e brendshme financiare do të ndihmojë në kontrollin e normave afatgjata të interesit, duke lehtësuar aksesin e sektorit privat në tregun e kredisë. “Në këtë kontekst, rishikimi i planifikuar i Buxhetit të Vitit 2010 duhet të bazohet në një plan realist të të ardhurave buxhetore, duke parashikuar njëkohësisht masat e nevojshme korrektuese për pakësimin e shpenzimeve publike dhe kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor”, tha kreu i BSH-së.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›