E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja i jep fund presidencës së padukshme. Polonia merr drejtimin e radhës

Përse Madridi ishte thuajse i padukshëm në arenën ndërkombëtare

Spanja u ka dhënë fund 6 muajve të kryesisë së Presidencës së Bashkimit Europian, një presidencë që do të mbahet mend për politikën e jashtme “të ngatërruar” dhe mosshfaqjen e Kryeministrit Zapatero në arenën ndërkombëtare për çështjet kardinale të këtij 6-mujori. Presidenca spanjolle filloi me hakersin e famshëm që vendosi në faqen zyrtare të presidencës spanjolle fytyrën e Mr. Bean-it, komikut britanik, në vend të fytyrës së Zapateros. Një incident ky që bëri të qeshin shumë njerëz, por që nuk ishte ogur i mirë për spanjollët. Në muajin shkurt, Presidenti Obama e braktisi një takim të rëndësishëm mes BE-së dhe SHBA-së, një braktisje që nga shumë analistë u konsiderua si një ndryshim i prioritetit të politikës së jashtme të Shtëpisë së Bardhë. Një veprim i tillë e bëri edhe njëherë Zapateron që të dukej krejtësisht i pafuqishëm dhe i papeshë në kontekstin ndërkombëtar.

Një tjetër injorim ishte edhe shtyrja e takimit mes BE-së, vendeve arabe dhe Izraelit, që ishte parashikuar të mbahej në muajin maj. Kjo do të ishte një mundësi e mirë dhe e fundit për Zapateron që të shkëlqente të paktën një herë në arenën ndërkombëtare. Por edhe në këtë rast ai ishte i pafat. E megjithatë, “padukshmëria” e Zapateros ishte më e madhe dhe më e dukshme në krizën e euros që përfshiu Greqinë dhe gjithë vendet e Eurozonës, duke filluar nga muajt e parë të vitit. Duket se Spanja ia la kontrollin e situatës presidentit të BE-së dhe presidentëve të vendeve më të zhvilluara të organizatës, Gjermanisë dhe Francës. Një nga pengesat e mundshme të Zapateros ka qenë edhe zbatimi i Traktatit të Lisbonës, që nisi pikërisht ditën që nisi edhe presidenca spanjolle, më 1 janar të këtij viti. Futja e rolit të Presidentit të Bashkimit Europian i krijoi vështirësi Spanjës që ta gjente veten në vendimmarrjen e organizatës dhe drejtimin e saj për këtë 6-mujor. Një tjetër shpjegim, sipas socialistëve, është edhe situata e vështirë që përjetoi dhe vazhdon të përjetojë Spanja për sa i takon ekonomisë dhe deficitit buxhetor. Pas Greqisë, ai ishte vendi që u përfol më shumë për mundësinë e marrjes së një pakete financiare ndihme, duke qenë se ka një deficit buxhetor të përmasave shumë të mëdha. Megjithatë, Spanja ndihmoi në kryerjen e disa marrëveshjeve. Ajo zhbllokoi ligjin e BE-së kundër tregtisë së paligjshme të dyllit, ndihmoi në qetësimin e disa situatave konfliktuale me Parlamentin Europian dhe inicioi komitetin e ri diplomatik, “Cosi”, që merret me çështjet e brendshme të sigurisë.

Sipas shumë analistëve, një presidencë e pafavorizuar nga shumë kushete mund të kishte qenë edhe më e vështirë për Spanjën dhe gjërat mund të kishin shkuar edhe më keq. Pas Spanjës, Polonia është vendi tjetër që do të marrë në dorë drejtimin e BE-së për gjashtëmujorin e dytë të vitit. Për shumë analistë, kjo do të jetë një sfidë e madhe për qeverinë polake, që duhet të bëjë çmos që të lerë një përshtypje të mirë në mënyrën e drejtimit të vendit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›