Annan: Dialog konstruktiv me Assad

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Annan ka deklaruar se ka pasur bisedime “të sinqerta dhe konstruktive” me presidentin Bashar al Assad në Damask.
Pas takimit, Annan u ka thënë gazetarëve se me Assad kishin rënë dakord për një përpjekje për t`i dhënë fund dhunës dhe këtë mesazh ai do t’ua transmetonte edhe rebelëve.
Në një intervistë të publikuar të shtunën, Annan tha për gazetën franceze “Le Monde” se plani i paqes për Sirinë deri më sot ka dështuar në frenimin e gjakderdhjes.
Një ditë më herët ai i rekomandoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së se,në vend të mbikëqyrjes së armëpushimit në Siri duhet të fokusohet tek ndërmjetësimi politik. Ndërsa një javë më parë, një takim i fuqive të mëdha bëri thirrje për një qeveri tranzitore në Siri.
Nga ana e tij, Assad ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të destabilizojnë Sirinë duke u ofruar mbrojtje politike “bandave të armatosura” në vendin e tij.